E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Në mandatin e dytë do të përfundojmë reformat

Megjithëse zyrtarisht nuk është çelur ende fushata elektorale, drejtuesit e lartë të partive politike në vend janë shpërndarë në rrethe të ndryshme. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ishte dje në disa komuna të Shkodrës, ku u takua më nga afër me banorët e Hotit dhe të Gruemirës. Gjatë bashkëbisedimeve, Topalli vuri në pah punën e madhe të bërë nga qeveria e djathtë gjatë këtyre katër viteve. "Nuk ka asnjë vend, në një periudhë kaq të shkurtër, që të ketë bërë një rrugë kaq të gjatë dhe kaq intensive, siç e kanë bërë shqiptarët", vlerësoi Topalli. Kryetarja e Kuvendit theksoi se besimi dhe mbështetja e këtyre banorëve dhe të të gjithë shqiptarëve në rrugën e demokracisë dhe të reformave për ndryshim bënë të mundur që premtimi për hyrjen e Shqipërisë në NATO të mbahej, duke i shtuar krenarinë dhe dinjitetin çdo shqiptari, brenda dhe jashtë kufijve. "Kjo ka qenë ëndrra e baballarëve tanë, e gjyshërve tanë nga sofra e Ded Gjo Lulit, që ishte trim dhe patriot, që kishte një vizion që shkonte përtej çdo horizonti të mundshëm të asaj periudhe", u shpreh Topalli. "Kjo, të bën të ndihesh me shumë dinjitet dhe të bën të mendosh se cili vend, në një periudhë kaq të shkurtër, ka bërë një rrugë kaq të gjatë dhe kaq intensive siç e kanë bërë shqiptarët", shtoi ajo. Duke vlerësuar mbështetjen e pakufishme të banorëve të këtyre komunave në rrugën e ndryshimit të Shqipërisë, Topalli theksoi se, kësaj here, mazhorancës së djathtë i duhet një mbështetje edhe më e madhe për të vazhduar së bashku projektet e zhvillimit për një Shqipëri moderne dhe të integruar në BE. "Ndaj, edhe unë shfrytëzoj këtë rast për të ftuar secilin prej jush më 28 qershor, dita kur secili prej jush do të jetë më i pushtetshëm se kushdo tjetër. Më 28 qershor është në dorën e çdo qytetari, që vetëm duke shkuar për të votuar, të zgjedhin rrugën e ndryshimeve të Shqipërisë, të zgjedhin rrugën e projekteve të mëdha të zhvillimit", u shpreh Topalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›