Digjet në autostradë furgoni, shpëton shoferi
Një fugon mallrash është djegur në superstradë, ndërsa aty pranë kalonte eskorta e Presidentit të Republikës. Shkak i zjarrit rezulton të ketë qenë një defekt në motorin e mjetit që transportonte produkte ushqimore. Ishte ora 13:30 e së hënës kur furgoni ka marrë flakë, në afërsi të Maminasit. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se zjarri ka përfshirë fillimisht pjesën e përparme të furgonit dhe më pas flakët janë përhapur me shpejtësi në kabinën e drejtuesit të mjetit, i cili ka dalë menjëherë prej saj për t‘i shpëtuar shpërthimit të mundshëm. Fatmirësisht, ai nuk ka pësuar dëmtime, ndërkohë që në ato momente, në superstradë, ka qenë duke kaluar edhe eskorta e Presidentit të Republikës. Kjo ka bërë që punonjësit e policisë rrugore të shkojnë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe të krijojnë kordonin e sigurisë. Një automjet zjarrfikës është nisur me të marrë njoftim nga Durrësi drejt furgonit në flakë, duke shmangur shpërthimin e automjetit. Gjithsesi, ndërhyrja nuk ka mundur të shpëtojë furgonin e dëmtuar plotësisht. Burimet policore bëjnë të ditur se shkak i ngjarjes mund të ketë qenë një shkëndijë elektrike në motor.