E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Statusi në BE, Berisha dorëzon aplikimin

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, konfirmoi dje nga Elbasani se qeveria shqiptare do të aplikojë së shpejti për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Kryefjala e diskutimeve të ministrit Basha me banorët e Rrethit të Elbasanit ka qenë premtimi për liberalizmin e vizave dhe integrimi sa më shpejt i vendit tonë në BE. Sipas Bashës, prova më e mirë që kjo qeveri ka dhënë për integrimin e vendit është anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Duke kërkuar votën edhe për një mandat të dytë qeverisës, ministri i Jashtëm deklaroi se "brenda një viti, qytetarët shqiptarë do të lëvizin pa viza nëpër Evropë". Sipas tij, "së shpejti, qeveria shqiptare, Kryeministri Sali Berisha do të paraqesë personalisht aplikimin për statusin kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. "Ju them sot, të rinjve dhe të gjithë qytetarëve, që brenda 12 muajve, me pasaportë shqiptare, pa vizë, do të mund të lëvizin lirisht nëpër hapësirën ‘Shengen‘". Kreu i diplomacisë konfirmoi lajmin e publikuar pak ditë më parë në "Shqip" se aplikimi do të bëhej në fund të prillit, konkretisht më datën 28. Më tej, në takimet e tij, ministri theksoi se kjo qeveri ka bërë një luftë të dukshme ndaj krimit dhe korrupsionit dhe ka realizuar reformat e kërkuara, të cilat kanë bërë të mundur dyfishimin e pagave dhe pensioneve, shndërrimin e Shqipërisë në një kantier ndërtimi. "Gjatë këtyre katër viteve, sqaroi Basha, ne dyfishuam pensionet dhe nëse ju do të na besoni edhe një mandat katërvjeçar, kjo qeveri do t‘i dyfishojë sërish pensionet e fshatit". Më pas, kreu i diplomacisë shqiptare u kërkoi banorëve të Rrethit të Elbasanit, që para se të hedhin votën, të mendohen mirë, të bëjnë një analizë ku ishin dhe ku janë me kushtet e jetesës. Ministri Basha ndodhet prej disa ditësh në Qarkun e Elbasanit, ku po bën fushatën elektorale. Ai, së bashku me deputetët e këtij qarku, është i deleguar nga Kryesia e PD-së për të menaxhuar këtë qark. Takimet kanë qenë të shumta, si në Elbasan ashtu edhe në fshatrat përreth tij. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se Basha do të jetë i pari i listës për deputet në Qarkun e Elbasanit, duke u pasuar nga emra të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›