Meta: Zgjedhjet e reja vetëm në qershor 2013
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta hedh poshtë tezën e opozitës për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në Shqipëri.Në konferencën e djeshme për shtyp, Meta theksoi se “çështja e ndryshimit të Qeverisë apo të Kryeministrit është e pamundur për dy arsye: Së pari, sepse koalicioni është i qëndrueshëm dhe ka një maxhorancë solide. Së dyti: është dhjetë herë më i vështirë sesa ka qenë përpara dy-tre vitesh, kjo për shkak të ndryshimeve kushtetuese, kështu që zgjedhjet e reja janë vetëm në qershor të 2013-ës dhe të gjithë duhet të kenë durim dhe të përgatiten për këtë sfidë në kohën e duhur, sepse kush fillon para kohe lodhet më shpejt”. Ndërsa për idenë e kreut të PSD-së, për krijimin e një Qeverie teknike PD-PS, kryediplomati theksoi se “Ky shpjegim nga ana e Gjinushit shpjegon se këtu bëhet fjala thjesht për pushtet, pa asnjë lloj transparence apo për çështje standardesh. Sepse po të kishin qenë standardet më të mira në momentin kur u bë edhe Kodi Zgjedhor, z. Gjinushi do të ishte deputet sot. Por, e theksoj edhe një herë tjetër se Shqipëria është në një periudhë normaliteti që prej kalimit të momentit të saj delikat në vitin 1997. Zgjedhjet bëhen një herë në katër vjet, ndaj të gjithë duhet të kenë durim dhe të përgatiten për zgjedhjet e ardhshme në vitin 2013”. Futjen e PS në Parlament zëvendëskryeminsitri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta e cilëson si një element shumë pozitiv. Në konferencën e djeshme për shtyp, numri dy i Qeverisë shqiptare theksoi se “futja e deputetëve të PS-së në Kuvend brenda afatit kushtetues është një element shumë pozitiv dhe njëkohësisht besoj që edhe propozimet e tyre do të shqyrtohen sipas të gjitha procedurave të Parlamentit, në mënyrë që ky komision hetimor parlamentar të ngrihet dhe të realizojë ato objektiva, të cilat janë kërkuar, natyrisht, duke respektuar pavarësinë e gjykatave”. Kryediplomati ndërkohë ka shtuar se në “në rast se PS ka deklaruar se deputetët e saj nuk do të kthehen më në Parlament pa u hapur kutitë, do të thotë se ata kanë ardhur në Parlament vetëm se u digjeshin mandatet për shkak të afatit kushtetues, gjë që tregon se PS nuk ka vullnetin për të ecur në rrugën e integrimit apo edhe në vetë rrugën e zgjidhjes së pretendimeve që ata kanë”. Kryediplomati theksoi se maxhoranca, duke shprehur mbështetjen për Presidentin, i dha atij edhe mbështetjen e hapur për të eksploruar të gjitha pretendimet e opozitës që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me maxhorancën, por që kanë të bëjnë me problemin e gjykatave dhe me çështje të cilat janë gjykuar në të kaluarën. “Presidenti mund të eksplorojë të gjitha hapësirat dhe mundësitë për të parë se sa kushtetuese është dhe se sa e respekton vendimin e gjykatave kjo kërkesë e opozitës. Pra, maxhoranca ka investuar besimin e saj tek një institucion i pavarur sikurse është Presidenti i Republikës, ndërkohë që pala tjetër ka thënë që ne kemi vetëm këtë kusht dhe asgjë tjetër”, tha kryediplomati. Ai theksoi se nuk ka qenë propozimi i maxhorancës për të marrë mendimin e Komisionit të Venecias, por ka qenë një propozim i ndërkombëtarëve të cilët kanë dashur të ndihmojnë për një gjykim më të paanshëm, edhe në këtë pikë maxhoranca është treguar sërish e hapur. “Maxhoranca është e hapur për të vlerësuar edhe qëndrimet e atyre institucioneve që nuk reshtin duke na rekomanduar për mënyrën se si mund të zgjidhet kriza. Ndërsa z. Rama ka bërë një zgjedhje të tij për të mos qenë sot deputet dhe kjo është çështje e tij dhe e partisë së tij. Por është e papranueshme që për shkak atë kësaj zgjedhjeje, ai kërkon ta zhvendosë debatin nga Parlamenti, në vende të tjera jashtë tij”, tha Meta.
Dushku dhe kutitë e Ruzhdies
Kreu i LSI-së u shpreh se nuk mund të ketë një paralele mes skemës së Dushkut dhe kutive të Ruzhdies. “Për sa i përket kutisë së “Ruzhdies”, mua më duket një histori fare absurde dhe qesharake, aq më tepër kur kjo kthehet edhe në një çështje basti, sepse këtu jemi duke folur për gjëra më shumë serioze. Qoftë pretendimi i z. Berisha apo i z. Rama se çfarë përfaqëson kjo kuti dhe ky rezultat, të gjitha këto për mua janë nul, sepse gjykata ka marrë vendimin e duhur dhe ka treguar që ka integritet”, tha Meta.