E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykim i shkurtuar, për gjermanët e 40 kg drogë



TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda pranoi dy ditë më parë kërkesën për gjykim me kohë të shkurtuar për tre gjermanët e arrestuar nga operacioni antidrogë "Kështjella" në maj të vitit 2009. Kështu, nëse gjermanet Daniel Englert dhe Franc e Rexhina Kiascek deklarohen fajtorë për akuzën e "trafikut të narkotikëve", ata do të përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit. Gjykimi me kohë të shkurtuar u pranua edhe për të bashkëpandehurin e tyre Albert Pëllumbi. I pandehuri i pestë i kësaj dosjeje, Zaim Tafa, do të gjykohet në një proces të veçuar me procedurë normale me një trupë tjetër gjykuese. Tafa nuk paraqiti para gjykatës kërkesën e të bashkëpandehurve të tij. Gjykimi i të pandehurve për të cilët u pranua gjykimi i shkurtuar do të bëhet në gjendjen në të cilën ndodhen aktet e dosjes. Pas vendimit të ndërmjetëm Gjykata shtyu seancën për t'i dhënë kohë prokurorisë të përgatisë konkluzionet përfundimtare të akuzës. Gjermanët Daniel Englert e Frand e Rexhina Kiascek dhe shqiptarët Albert Pëllumbi e Zaim Tafa u arrestuan në 2 maj të vitit 2009 nga operacioni policor i koduar "Kështjella". Nga operacioni policia sekuestroi 40 kilogramë heroinë, sasia më e madhe e heroinës e bllokuar njëherazi në Shqipëri. Pas arrestimit Krimet e Rënda caktuan për ta masën e sigurisë "arrest me burg". Pak muaj më vonë Gjykata e Lartë liroi nga kjo masë sigurie për mungesë provash të pandehurin Tafa. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›