E Shtunë, 31 Tetor 2026

“INSTAT nuk na pyeti për regjistrimin”



Nertila Maho

Regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare si “sipërmarrja” më ambicioze e Institutit të Statistikave ka hapur një debat të gjerë. “Thembra e Akilit” përsa i përket qëndrimit të komuniteteve fetare të cilët janë të përfshirë drejtpërdrejt në proces janë saktësia, korrektesa dhe standardet mbi të cilat do të bëhet ky regjistrim. Qëndrimet e këtyre komuniteteve nuk janë të njëjta por të gjitha i bashkon refreni “regjistrimi të jetë korrekt sipas normave ndërkombëtare”. Gjatë bisedave me përfaqësues të tyre konstatohet se deri më tani askush nuk ka kontaktuar në emër të INSTAT-it qoftë për t’i vënë në dijeni apo edhe për të gjetur bashkëpunim në rast se do të jetë e nevojshme. Lidhur me aktivizimin në procesin e regjistrimit mendimet janë të ndryshme. “Në regjistrime të tilla, në grupet e punës është mëse e domosdoshme të merren edhe përfaqësues nga komunitetet fetare për të mos lënë vend për abuzime” shprehet Dorian Demetja drejtor i Kulturës në Komunitetin Musliman. Në anën tjetër është pikërisht Kisha Orthodhokse Autoqefale ajo që e distancon veten nga procesi. Thoma Dhima, kryeredaktor i gazetës “Ngjallja” botim i Kishës, shprehet se kjo i përket sferës së veprimit të shtetit dhe jo komuniteteve fetare. çështja e regjistrimit mbi baza fetare ka servirur edhe aludime të ndryshme të tipit se nëse ky regjistrim do të servirë rezultate që do të kundërshtohen nga komunitetet mund të shërbejë si një shkak për prishjen e harmonisë fetare për të cilën vendi ynë është një shembull i mirë. Edhe në këtë pikë Dorian Demetja, shpreh rezerva lidhur me regjistrimin duke vënë në dukje faktin që vendi ynë numëron një sërë eksperiencash të hidhura sa i përket regjistrimit të popullsisë të cilat kanë lënë vend për debat, pa përmendur këtu problemet me listat zgjedhore. “Unë mendoj duke pasur parasysh rrethanat dhe situatat në të cilat ndodhet Shqipëria, se ky regjistrim nuk do të zhvillohet në mënyrë objektive dhe për më tepër rezultati do të jetë fiktiv dhe jo real” shprehet Demetja si pjesë e Komunitetit Musliman. Sipas tij ky rezultat nuk do t’i shërbejë vendit, përkundrazi dalja e një shifre fiktive do të krijojë kontradiktë dhe konflikt, në kohën kur Shqipëria shquhet si një vend i paqes ndëretnike dhe ndërfetare. Për komunitetin katolik Don Gjergj Meta pranë Katedrales së Shën Palit në Tiranë, shprehet se është mirë që të bëhet një regjistrim i saktë mbi baza fetare për të pasur një statistikë dhe për t’ju larguar hamendësimeve me të cilat kemi kohë që besojmë. Sipas tij kjo nuk do të cenojë aspak harmoninë fetare sepse në të kundërt nëse ajo bazohet në numra do të quhej false. Pavarësisht qëndrimeve “pro” dhe “kundër” duket se ajo që ka më shumë rëndësi për komunitetet është që rezultati të jetë sa më i saktë.

Regjistrimi i popullsisë si kusht drejt integrimit

Instituti i Statistikave është duke zhvilluar projektin më të madh të regjistrimit të popullsisë dhe banesave. Pyetësori i hartuar në rang ekspertësh përmbledh në brendësi pyetje që kërkojnë paraqitjen e panoramës ekonomike, kulturore, sociale, etnike dhe fetare në vend si kusht i synimit për integrim në BE. Në disa tryeza të organizuara nga INSTAT është bërë e ditur se gjysma e parë e 2010-ës do të jetë një kohë e mjaftueshme për t’ju kushtuar studimit të pyetësorit nga ekspertët dhe të interesuarit kurse pjesa tjetër do të jetë një vijueshmëri paraprake e procesit. Procesi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave pritet të përfundojë në vitin pasardhës duke dhënë kështu edhe panoramën e plotë aktuale të vendit tonë në disa aspekte. Kostoja e këtij procesi, që pritet të nisë në 2011-ën, arrin në rreth 15 milionë euro.

Thoma Dhima Kisha Orthodhokse Autoqefale
“Vendi ynë me Kushtetutë është një shtet laik dhe ky regjistrim që do të bëhet nga ana e Institutit të Statistikave i takon sferës së veprimit të shtetit dhe jo komuniteteve fetare, që nuk luajnë ndonjë rol as në përgatitjen e as në kryerjen e tij. Sidoqoftë, Kisha Orthodhokse, Autoqefale e Shqipërisë mbështet çdo hap që i shërben shoqërisë shqiptare për të ecur përpara në rrugën e integrimit, gjithmonë kur ai kryhet me korrektese e drejtësi sipas normave ndërkombëtare të cilat e bëjnë më të saktë edhe rezultatin final”.

Dorjan Demetja Komuniteti Musliman
“Vetë regjistrimi i popullsisë është një proces i vështirë dhe komplikohet akoma më shumë nëse do të bëhet mbi baza etnike dhe fetare. Unë mendoj duke pasur parasysh rrethanat dhe situatat në të cilat ndodhet Shqipëria, se ky regjistrim nuk do të zhvillohet në mënyrë objektive dhe për më tepër rezultati do të jetë fiktiv dhe jo real. Të gjithë e pranojnë që shifra do të jetë fiktive dhe po të gjithë heshtin përballë këtij devijimi të realitetit. Nuk e kuptoj pas gjithë këtyre problematikave, përse është ky nxitim për regjistrimin fetar”.

Don Gjergj Meta Katedralja e Shën Palit
“Për ne regjistrimi mbi baza fetare nuk paraqet ndonjë problem. Në kuptimin që nëse ky regjistrim duhet të bëhet sigurisht mbi baza saktësisht shkencore sipas rregullave që njeh sociologjia apo shkencat e tjera në këtë pikë atëherë mendoj që do të shërbente shumë për qartësinë statistikore duke lënë mënjanë pastaj prapaskenat që mund të jenë politike, gjeopolitike që nuk na takojnë. Unë jam absolutisht i bindur që kjo nuk do të prekë harmoninë fetare sepse nëse kjo e fundit do të bazohej mbi numra atëherë është fals ajo që kemi deri tani. Përkundrazi do të thosha që kur ekziston një e vërtetë harmonia bëhet më e fortë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›