Kapen shtatë celularë në burgun e Fushë Krujës
FUSHE-KRUJE
Kontrolle në Burgun e Fushë-Krujës, gjenden 7 celularë në qelitë e sigurisë së zakonshme. Sipas burimeve nga ky institucion policia ka kryer dy kontrolle njëri pas tjetrit ditët e fundit duke kapur në qelitë e të dënuarve 7 celularë, të fshehura mes sendeve të të burgosurve. Pas kësaj celularët janë sekuestruar ndërsa ndaj poseduesve të tyre janë marrë masa sipas rregullores së burgjeve. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme i dënuari Tom Verri, i cili ndodhet në këtë burg ka telefonuar duke pretenduar se është dhunuar prej policisë së burgut. Ai pohoi gjithashtu se ka tentuar të vrasë veten duke prerë damarët, por që nuk është lejuar nga bashkëvuajtësit dhe gardianët. Po ky i dënuar ka pohuar gjithashtu se më parë ka përdorur shumë mënyra për të reaguar ndaj dhunës që pretendon, duke pohuar se ka prerë më parë damarët dhe se ka tentuar të qepë edhe gojën me gjilpërë. Por zyrtarisht, autoritetet e këtij burgu i mohojnë këto pretendime duke pohuar se Verri nuk është dhunuar në qeli nga askush dhe se nuk ka prerë më parë damarët. Ndërkohë burime të tjera nga burgu pohuan se Verri është kapur me celular në qeli dhe për këtë shkak është konfliktuar me policët e burgut që ia gjetën atë. Mbajtja e celularëve nga të burgosurit shqiptar, prej rreth gjashtë vitesh është bërë problem shqetësues si për policinë e burgjeve ashtu edhe për administratën e këtyre institucioneve. Të paktën Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë, kanë argumentuar se veç tjerash, celularët ndikojnë edhe në sigurinë e institucioneve të paraburgimit dhe atyre të vuajtjes së dënimit. Ndërkohë në raste të tjera Prokuroria ka ngritur akuza ndaj disa personave që drejtojnë nga qelia bizneset e tyre kriminale. Të paktën që nga nëntori i vitit 2005 kur policia e burgjeve ka nisur aksionet e para për sekuestrimin e celularëve në qelitë e burgjeve shqiptare, numri i aparateve të bllokuar ka arritur në qindra të tillë. Tashmë, sipas rregullores së re të burgjeve gjetja e celularëve në qelitë e të burgosurve nuk konsiderohet shkelje e rëndë ndërsa ndëshkohet me masa të lehta disiplinore. Disa vite më parë të burgosurit mbylleshin në izolim deri në 20 ditë nëse kapeshin me celularë në qeli. fa.ma