E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirania e pakicës

Edmond Arizaj

Për çfarë mbahen mend shumica e tiranëve të historisë botërore? Gjithçka e bënin në emër të popullit, kanë qenë shumicë, ngriheshin në bazë të ligjeve dhe përfundonin duke i shkelur ato Në Shqipërinë e vockël, natyrisht që nuk mund të flasim për tiranë, por për tiranucë, që sillen si tiranë, por me ndryshime thelbësore. Në emër të popullit flet gjithë ditën nga selia e tij edhe tiranuci i Tiranës, por për çudinë e madhe nuk është shumicë, madje nuk është pjesëtar as në pakicën e tij ligjvënëse. Bëhet fjalë për kryetarin e një partie politike (siç thotë statuti), por që këmbëngul prej vitesh që vetë nuk është politikan (diçka duhet korrigjuar këtu, ose nga partia, ose nga kryetari). është ngritur në karrierë në bazë të ligjeve, por i ka ndryshuar këto ligje kur i kanë interesuar, madje ka vënë dorë edhe në ligjin themeltar të shtetit shqiptar, I votuar masivisht nga ai për të cilin përgjërohet, populli. Muajt e fundit as nuk i interesojnë, jo vetëm ligjet, por madje as populli në emër të të cilit flet dhe po në emër të të cilit (duke e cilësuar opozitar) kërcënon me protesta masive, të vazhdueshme, deri në rrëzimin e një shteti legjitim. Gjithçka në emër të abstraktes kuti të pa(ri)numëruar. Kryetari jo politik, por në "mision" për popullin e tij, është duke kërkuar në mënyrën më të hapur pushtimin e shtetit dhe marrjen e pushtetit vetjak, duke shfrytëzuar çnjerëzisht përkatësitë politike të një pjese të elektoratit shqiptar. Duke dhënë ultimatume hapur për plotësimin e kërkesave të tij, s'ka rëndësi se kujt i drejtohen ato dhe a kanë lidhje me institucionin të cilit i drejtohen, ose përndryshe "do të plasë dyfeku" që do të largojë shtetin e dalë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, të njohur legalisht edhe nga vetë kryetari politik, të certifikuar nga çdo organizatë ndërkombëtare dhe të pranuar e firmosur nga mijëra komisionerë.
Kryetarit jo politikan i folën me anë të firmave në proces-verbale, njerëzit më të besuar të Partisë Socialiste, ai u errësua. Kryetarit jo politikan, i folën miqtë e tij, dikur njerëzit që u besoi shumë, ai u egërsua. Kryetarit jo politikan, i foli Evropa e djathtë, ai ironizoi. I foli Evropa e majtë, ai devijoi. I foli Evropa e Bashkuar, ai vazhdoi në rrugën e tij të mosdashjes së të kuptuarit, apo mosmundjes së të pranuarit të të vërtetës që është humbës. Ai del kundër Presidentit, del kundër Gjykatës zgjedhore. Ai nuk do Gjykatë Kushtetuese dhe as Komision të Venecias. Ai nuk pranon të bisedojë, e as të negociojë. Ai nuk pyet nëse Shqipëria ka krizë ekonomike, nëse vendi ka nevojë për investime, nëse ka nevojë edhe për mendjen e opozitës, jo. Ai do kutitë. Atij nuk i intereson liberalizimi i vizave (shumicës së shqiptarëve i intereson më shumë se kutitë e kryetarit në mision për të hapur kutitë), jo dhe jo. Asnjë fjalë për këtë, por shumë fjalë për protesta. Atij nuk i intereson jeta parlamentare, ku vetë nuk është figura qendrore dhe rreth nuk ka figurinat e tij të dashura. Jo, asnjëherë jo, ta harroni. Ai vendos për hyrjen në Kuvend, ndërsa grupi prej 64 burrash e grash me një barrë mend e shkollë, mblidhet 20 minuta më pas dhe diskutojnë për vendimin e kryetarit jo politikan, por nuk mjaftoi kjo; u jep shansin të betohen si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, i detyron të dalin pas vetëm një ore. Sërish në emër të kutive. Kësaj me pak fjalë i thonë tirani e një njeriu ndaj të besuarve, por edhe të përzgjedhurve të tij. Kësaj I thonë edhe tallje e një njeriu të vetëm me elektoratin jo të vogël socialist, të cilit i premton se nuk ka hyrje pa hapje, ndërsa tani i thotë, ka hyrje-dalje, nëse s'ka hapje. E në emër të tiranisë që ushtron ky njeri jo politik ndaj një grupi të madh politik deputetësh, këta të fundit tiranizojnë gjithë popullsinë, megjithëse betohen në emër të tyre. I vendosin caqe shumicës, kërkojnë shkatërrimin e atij pak shteti ligjor dhe vendosjen tërësisht të shtetit politik në vend dhe ç'është më e keqja, liberalizimi i vizave, një ëndërr jo e vogël e shqiptarëve, është ajo që e lë pa ëndrra kryetarin jo politikan, e pikërisht për këtë ai duket se shpreson t'ia prishë këtë ëndërr këtyre njerëzve, duke ia faturuar shtetit dhe pushtetit. Pas kësaj edhe kutitë mund të kalojnë në plan të dytë e të tretë. Humbja është e tij. Pambarimisht e tij. Ekskluzivisht e tij. Ai është projektuesi i PS-së mediokre të ditëve të sotme. Ai është njeriu që po e kthen Shqipërinë në kohën e Vranickit. Atij mund t'i atribuojmë pa frikë ekstremizmin e thellë që ka përfshirë shoqërinë shqiptare. Në dorën e tij ka mbetur dhe tirania më e çuditshme, ajo e pakicës dhe e antiligjit. Ka dhe një gjë që i duhet lënë në dorë, sepse ai nuk beson tek askush; jepjani atij të gjitha kutitë, le të qëndrojë me to, t'i hapë dhe t'i numërojë një e nga një.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›