Ministri Tafaj “përmbys” reformën e tretë të Pollos
Sërish ndryshime në një tjetër reformë të trumbetuar jo pak nga ish-kreu i MASH, Genc Pollo. Bëhet fjalë për drejtorët e shkollave. Ata do t'i rikthehen tashmë mësimdhënies të paktën 4 herë në javë. Nuk do të jetë kusht që të jenë menaxherë të mirë dhe të bëjnë vetëm këtë punë. Deklaratën e ka bërë dy ditë më parë ministri aktual, Myqerem Tafaj. Sipas tij, e rëndësishme për këtë pozicion është përgatitja pedagogjike e drejtorëve të shkollës apo gjimnazit. "Drejtuesit e shkollave duhet të jenë pranë procesit mësimor, dhe nuk ka asnjë arsye të shkëputen prej tij", është shprehur Tafaj. Jo më larg se një vit më parë, drejtorët e shkollave merreshin vetëm me menaxhimin e institucionit. Sipas reformës të lançuar jo pak nga Pollo, të qenit menaxher i mirë bënte diferencën mes drejtuesit dhe mësuesit të thjeshtë. Përveç kësaj pjese nuk do të pësojë ndryshime mënyra si emërohet dhe shkarkohet drejtori i shkollës. Kështu për të emëruar apo shkarkuar drejtorin e shkollës në një rreth të caktuar, do të duhet të merret fillimisht mendimi i Bordit të Arsimit, i cili do të ngrihet në nivel zone, bord i cili do të jetë në juridiksionin e Drejtorisë Arsimore Rajonale ose Zonale, ku ndodhet shkolla. Bordi i Arsimit do të jetë i përbërë nga përfaqësues të DAR/ZA, anëtarë nga Qeveria lokale, si edhe nga kryetari i bordit të shkollës përkatëse. Po kështu sipas rregullave të vendosura, mandati i një drejtori shkolle është katër vjet. Paskësaj, për të rimarrë këtë pozicion hapet konkurrimi për këtë vend pune. Sa i përket kualifikimit është vendosur që të emërohet drejtor shkolle kandidati që ka të paktën kategorinë e dytë të kualifikimit të mësuesve. Një tjetër kusht është edhe të qenurit nëndrejtor shkolle për të paktën një vit shkollor. Testimi i bërë me qëllim kualifikimin e arsimtarëve, pas të cilit ata mund të përfitojnë dhe rritje page, është një kusht i rëndësishëm për t'u bërë drejtor shkolle. Në një hark kohor prej pak javësh, kjo është reforma e tretë që ministri Myqerem Tafaj "rrëzon", duke përmbysur rregullat. Fillimisht megjithëse Tafaj publikisht deklaroi se skema do të ishte e njëjtë, procesit të Maturës Shtetërore ju bënë jo pak ndryshime. Ato konsistonin si në mënyrën e korrigjimit të teksteve, apo vendosjen vetëm për një fazë pranimi në shkollat e larta. Më pas u prek reforma e altertekstit, ku u pranuan se ishin bërë abuzime me çmimet e teksteve dhe këtë vit do t'i jepet prioritet cilësisë dhe kontrollit të autorëve.