Meta: Zgjedhjet lokale mbahen pavarësisht PS-së
“Nuk mund të rrijë asnjeri qoftë edhe një ditë mbi mandatin kushtetues në detyrën e tij. Zgjedhjet lokale do të zhvillohen në afatet kushtetuese pavarësisht nga ajo që do bëjë Partia Socialiste”. Kjo ishte deklarata e Ilir Metës gjatë një interviste televizive. Ai përsëriti dje se nuk ka pasur, nuk ka deklaruar dhe nuk ka parë asnjë draft për të cilin fliste pak ditë më parë ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch. Në një intervistë “Ufo Tv”, kryediplomati shqiptar u shpreh se nuk mund të marrë përsipër të komentojë deklaratat e një ambasadori të caktuar, pasi është një përgjegjësi e këtij të fundit. “Në fillim, kur e dëgjova këtë deklaratë, mendova se mos e ka zoti Berisha”, u shpreh Meta. Ai insistoi se nuk ka bërë asnjë negociatë gjatë ditëve të grevës së urisë. “Këto janë më shumë fantazira, pasi i vetmi takim pune për t’i hapur rrugën një zgjidhjeje ka qenë ai i Strasburgut dhe që dihet”, tha Meta. Sipas tij, nuk ka pasur asnjë lloj negociate të kryer nga ai dhe se ka deklaruar që nuk është momenti i përshtatshëm për grevën. Numri dy i qeverisë vlerësoi se problemi i vetëm mbetet mungesa e vullnetit për të punuar në mënyrë parimore nga lidershipi i Partisë Socialiste, në drejtim të respektimit të Kushtetutës, Kodit Zgjedhor. “Ajo çka është bërë e qartë nga ana ime, konkretisht referuar nenit të Kodit Zgjedhor, ka qenë e qartë. Pasi transferohen materialet në Arkivin Qendror të Shtetit, fletët digjen nën vëzhgimin e KQZ-së. Ky proces nuk mund të ndahet në dy pjesë: që disa të çohen në arkiv dhe pjesa tjetër ngrin”, nënvizoi Meta. Qeveria, vijoi ai, çdo gjë që ka pasur në dorë ia ka ofruar opozitës. “Donin shumicën, edhe pse nuk u takon, ua dhamë, donin kryetarin, e morën. Kishin ngritur një sërë pretendimesh deri te hapja e kutive. Ata duan që qeveria të marrë përsipër një gjë që nuk është në tagrin e saj”, insistoi Meta. Ai sqaroi se është hedhur pretendimi për ndarjen e hetimit të materialit zgjedhor, por edhe problemin e fletëve të votimit, ku kërkohet të mos digjen ashtu siç thotë Kodi Zgjedhor. “Ka pasur rrugë për fletët e votimit. Ka qenë dhe mbetet propozimi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. PS-ja t’i drejtohet gjykatës dhe ajo t’i kërkojë mendimin Komisionit të Venecias”, u shpreh ministri i Jashtëm. I pyetur se sa ndikim do të ketë moszgjidhja e krizës te vendimi mbi liberalizimin e regjimit të vizave, Meta u shpreh se “liberalizimi i vizave ka shumë kushte”. Një qytetar, tha ai, ka si kusht të parë pasaportën biometrike që të lëvizë lirshëm në Bashkimin Europian. “Shqipëria ishte jashtë radhës së parë për ato arsye që i dimë. Prapambetja është më historike, por kjo qeveri ka bërë një revolucion në përmbushjen e detyrimeve në liberalizimin e vizave”, tha Meta. Ky proces, sqaroi numri dy i qeverisë, është teknik dhe çdo vend që kap standardet gëzon mundësinë e lëvizjes pa viza. “Ky është proces që duhet të eci, brenda vjeshtës të përmbyllen procedurat dhe që mund të shkojmë te lëvizja e shqiptarëve pa viza. Ato probleme që ishin për t’u vlerësuar do të përmbushen brenda pak javësh”, theksoi Meta. I pyetur për rrëzimin e dekretit të Presidentit për zgjedhjen e Vangjel Kostës në Gjykatën Kushtetuese dhe deklaratën e Withers se në vend ka një krizë qeverisëse, Meta vlerësoi se “çdo njeri në këtë vend, çdo qytetar ka të drejtë të japë mendimin e vet, qoftë shqiptar apo i huaj. E rëndësishme është që cilido e merr vetë përgjegjësinë për atë që thotë, vlerësimin që bën. Unë jam i habitur nga një thënie e tillë, pasi mendoj se kur u rrëzuan pesë dekrete ajo ishte absurditet. U propozuan tre dhe një nuk u votua. Nuk kemi të bëjmë me ndonjë shkarje të Parlamentit”.
#