Ndryshoi dëshminë, në gjyq ish-përgjegjësi i fabrikës
Ish-përgjegjësi i fabrikës së Gërdecit, Veiz Muço, i arrestuar disa javë më parë me bujë në seancë sapo la sallën e gjyqit, do të gjykohet për akuzën e “dëshmisë së rreme”. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për Muçon duke dërguar dosjen për gjykim. Sipas të dhënave nga akuza, Muço do të gjykohet në gjendje të lirë. Sipas kërkesës për gjykim, punësimi i të miturve, saldimi i karrocave apo edhe rregullorja e punës brenda ambienteve të fabrikës, ishin disa nga pjesët e dëshmisë, për të cilat Veiz Muço ka dhënë versione të ndryshme në prokurori e gjykatë. Sipas prokurorisë, gjoja rregullorja e sigurimit teknik në punë ka sjellë edhe ndryshimin e dëshmisë nga Veiz Muço, i cili gjatë një seance për dosjen “Gërdeci” tha se “kishte një rregullore dhe kjo u lexohej punëtorëve çdo mëngjes dhe ishte e shkruar në një fletë formati. Një pjesë e rregullores tregonte se si do të bëhej transporti, ruajtja dhe hapja e fishekëve”. Por kjo pjesë e dëshmisë është ballafaquar me thëniet e tij në prokurori, pikërisht në procesverbalin e datës 21 prill të vitit 2008, ku Muço ka deklaruar se “nuk kishim një rregullore të tillë, ose të paktën unë personalisht nuk e kam parë dhe nuk jam njohur me një këtë rregullore”. Një tjetër pjesë e dëshmisë së Veiz Muços, që është konsideruar e rreme nga prokuroria, ka të bëjë edhe me punësimin e të miturve. Në prokurori, ish-përgjegjësi i punishtes së Gërdecit ka deklaruar se aty janë punësuar edhe të mitur të moshës 15-18 vjeç, ndërsa në sallën e gjyqit tha se “nuk kishte fëmijë të mitur që punonin në procesin e demontimit”.
#