Meta afron ish-bashkëpunëtorët e Nanos
Një pjesë e ish-stafit që kanë këshilluar për një kohë të gjatë Fatos Nanon, gjatë kohës kur ai ishte Kryeministër, kanë kaluar pranë zv/kryeministrit, Ilir Meta, natyrisht duke bërë punën që dinë. Kështu ish-drejtori i kabinetit të Nanos, Agim Isaku, i cili është dhe një nga publicistët e njohur në vend është thirrur para pak kohësh nga shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, që të punojë pranë tij si këshilltar i jashtëm. Në fakt, zoti Isaku është edhe diplomat i njohur, pasi ka punuar për një mandat të plotë si ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Spanjës. Një tjetër ish-bashkëpunëtor i Fatos Nanos që është afruar me Metën është edhe diplomati e politikani i njohur, Bashkim Zeneli, i cili ka qenë ambasador i Shqipërisë në Gjermani dhe Greqi. Zeneli aktualisht është këshilltar i Jashtëm i zv/kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm. Ndërkaq, në qeverinë aktuale mund të vërehet edhe një nga njerëzit më të afërt të ish-kryeministrit Fatos Nano. Bëhet fjalë për Ylli Dylgjerin, i cili ka qenë drejtori i marrëdhënieve me publikun në ekzekutivin "Nano", ndërsa sot është emëruar drejtor i Politikave Mbështetëse në Ministrinë e Shëndetësisë, që drejtohet nga sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili. Në fakt, fenomeni i këshilltarëve profesionistë që lëvizin në administratën shqiptare ka kohë që praktikohet. I pari që e futi këtë praktikë në Shqipëri ka qenë Fatos Nano, i cili mbajti në kabinet disa nga këshilltarët që kishin punuar me paraardhësin e tij, Aleksandër Meksi. Gjithashtu, ai emëroi si shef protokolli, Neritan Sejaminin, i njohur për përkatësinë tek e djathta dhe pas disa vitesh kandidoi për Partinë Demokratike në Tiranë. Sejamini u zgjodh si këshilltar edhe nga Kryeministri aktual, Sali Berisha. Ndërkaq, vetëm një pjesë e vogël e ish-stafit të Fatos Nanos kanë kaluar të punojnë pranë selisë rozë apo të këshillojnë liderin socialist, Edi Rama. Vetëm kohët e fundit ish-zëdhënësi i Nanos, Aldrin Dalipi, i cili është me profesion gazetar po punon si kryeredaktor i "Zërit të Popullit". Ndërsa Ylli Manjani, ish-shefi i kabinetit i kreut të qeverisë, u afrua me Ramën që në vitin 2005, tani është bashkuar me kundërshtarët e kreut të selisë rozë.
Y.P.
Y.P.