E Diel, 1 Nëntor 2026

Solis: Disa parti duan ta kthejnë OMONIA-n në sindikatë

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut akuzon partitë politike se po kërkojnë të përçajnë minoritetin dhe të kthejnë OMONIA-n në sindikatë. Sekretari i përgjithshëm i PBDNJ-së, Leonard Solis, pozicionohet kundër shndërrimit të OMONIA-s në parti politike me bazë etnike greke. "Zërat për kalimin e OMONIA-s në parti politike nuk vijnë nga brenda saj, por nga jashtë. Ata janë të influencuar nga parti politike që duan ta kthejnë OMONIA-n në një sindikatë", u shpreh Solis. Ai e shikon këtë tentativë si një frymë që kërkon të nxisë përçarje brenda minoritetit. Sekretari i përgjithshëm i PBDNJ-së nuk përjashton mundësinë se kjo nismë synon të sfumojë misionin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nga eksponentë të partive të ndryshme që synojnë përçarjen. Sipas Solisit, PBDNJ-ja do t‘i shmangë të tilla përçarje, duke pasur si qëllim bashkimin në tërësi të minoritetit. Deklaratat e Solisit vijnë një ditë pasi në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të organizatës OMONIA u hodh në diskutim ideja për ta kthyer këtë organizatë në një parti politike me bazë etnike greke. Shndërrimi i OMONIA-s në një parti politike me bazë etnike greke është propozimi i bërë së fundmi në mbledhjen e radhës së Këshillit të Përgjithshëm të kësaj organizate, por që ka nxitur reagime kundër nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Strukturat drejtuese të PBDNJ-së i cilësojnë si deklarata që kërkojnë të nxisin përçarje dhe theksojnë se ato nuk vijnë nga brenda minoritetit, por nxiten nga parti politike, të cilat duan ta dëmtojnë OMONIA-n dhe PBDNJ-në. Ish-ministri dhe ish-deputeti Leonard Solis i cilësoi deklarata të tilla si një tentativë që kërkon përçarjen brenda minoritetit. Sekretari i përgjithshëm i PBDNJ-së, Leonard Solis, e ka cilësuar konceptin e krijimit të partisë me bazë etnike, si të tejkaluar që në vitin 1994. Sipas tij, PBDNJ-ja është në sinergjizëm të plotë me OMONIA-n dhe problemet e saj, por jo në konkurrencë me të. Struktura të organizatës OMONIA mendojnë se organizata e minoritetit etnik grek duhet të heqë dorë nga të qenit bisht i PBDNJ-së, ndërkohë që pretendimi i kësaj të fundit është se nxitja e debatit dhe konflikteve vjen nga parti të tjera politike për të shkaktuar përçarje dhe turbulluar ujëra. Një ditë më parë, Ziso Lluci theksoi se "shndërrimi i OMONIA-s në një parti politike me bazë etnike do të na jepte mundësinë t‘i përfaqësonim më denjësisht problemet tona. Gjykoj se minoriteti duhet të jetë i bashkuar në një organizëm të vetëm politik, pa pasur nevojë ta delegojë këtë të drejtë tek PBDNJ-ja". Lluci, i njohur si kritikues i madh i Vangjel Dules, bëri me dije se në PBDNJ janë mbizotëruar veprimet antidemokratike dhe apatia në bazë, si dhe shkëputja e plotë e udhëheqjes dhe e deputetëve nga elektorati i minoritetit etnik grek në rrethet e Jugut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›