Meta, ambasadores së Maqedonisë: Reflektoni për enciklopedinë
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti dje në një takim kortezie ambasadoren e Maqedonisë, znj.Blagorodna Mingova-Krepieva. Marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy vendeve, fqinjësia e mirë dhe procesi i përbashkët integrues në BE ishin çështjet kryesore që u diskutuan gjatë këtij takimi. Meta vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve bashkëpunuese, si dhe kontaktet dinamike të nivelit të lartë politik mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Më tej, Meta përsëriti qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj botimit të enciklopedisë maqedonase, duke u shprehur: "Shqipëria mirëpret reflektimin lidhur me rishikimin e kësaj enciklopedie dhe do të donim që të gjithë në Maqedoni të angazhohen për më tepër tolerancë dhe përgjegjshmëri, duke pasur parasysh të ardhmen tonë të përbashkët". Ambasadorja Mingova-Krepieva i përcolli z.Meta edhe një herë urimet e ministrit të Punëve të Jashtme në Maqedoni, z.Antonio Milososki, dhe theksoi se "bashkëpunimi dypalësh duhet të synojë jo vetëm forcimin e marrëdhënieve bilaterale, por edhe për çështje që lidhen me axhendën e përbashkët rajonale të integrimit europian". Meta priti dje edhe ambasadoren e Republikës Arabe të Sirisë në Shqipëri, me rezidencë në Athinë, znj. Houda Al Houmsi. Marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, zgjerimi i mëtejshëm i tyre dhe njohja e Kosovës ishin çështjet kryesore që u diskutuan gjatë këtij takimi. Meta vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve tona mike me lidhje të hershme historike dhe theksoi rëndësinë e "plotësimit të kuadrit ligjor për marrëveshjet e ndryshme të cilat janë paraqitur nga Shqipëria kohë më parë dhe që i hapin rrugë një bashkëpunimi shumë të gjerë në të gjitha fushat". Duke theksuar që "numri i shteteve që do njohin pavarësinë e Kosovës brenda pranverës së ardhshme do jetë mbi 100", Meta i kërkoi ambasadores Al Houmsi që edhe emri i Sirisë të jetë pjesë e kësaj liste shtetesh. Meta, po dje, takoi ambasadoren e Republikës Arabe të Egjiptit në Shqipëri, znj. Amina Imam Gomaa. Z.Meta vlerësoi lidhjet historike mes Shqipërisë dhe Egjiptit, rolin e Egjiptit në botën arabe, duke theksuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe shprehu "gatishmërinë për t‘i zgjeruar ato më tej, në të gjitha fushat e bashkëpunimit". Gjatë takimit me ambasadorin e Spanjës, Manuel Montobbio, Meta shprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për t‘i zgjeruar marrëdhëniet më tej, veçanërisht në kuadrin e procesit integrues të Shqipërisë në BE. Ambasadori Montobbio i shprehu zotit Meta mbështetjen që "Presidenca spanjolle e Bashkimit Europian do t‘i japë Shqipërisë gjatë procesit të liberalizimit të vizave dhe veçanërisht për marrjen e statusit kandidat".