Shkolla Politike, diplomohen 30 studentë
Diplomohet brezi i tretë i studentëve të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike. Presidenti Bamir Topi dhe ambasadori i Komisionit Europian në Shqipëri, Helmut Lohan, kanë dorëzuar dje diplomat për 30 personat që ndoqën kursin 2008-2009. Misioni i shkollës është të forcojë një kulturë moderne politike, të bazuar në vlerat e përbashkëta të pluralizmit, tolerancës dhe dialogut të hapur, duke inkurajuar kështu zhvillimin e një komuniteti të politikanëve të rinj dhe liderëve qytetarë të përkushtuar për zbatimin e modelit demokratik bashkëkohor të qeverisjes. Në shkollën shqiptare të Studimeve Politike marrin pjesë politikanë, anëtarë të Parlamentit, zyrtarë të institucioneve qendrore dhe lokale, të zgjedhurit e këshillave të bashkive, komunave, përfaqësues nga sistemi gjyqësor, biznesi, media dhe organizatat joqeveritare. Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike u themelua në mars të vitit 2007 dhe është pjesë e programit të Shkollave Politike, i mbështetur nga Këshilli i Europës dhe Komisioni Europian.