E Diel, 1 Nëntor 2026

Letërnjoftimet, procesi pati probleme

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) publikoi dje raportin e monitorimit të procesit të pajisjes me letërnjoftime elektronike. Duke iu referuar konkluzioneve, procesi gjatë muajve të parë të këtij viti ka marrë vlerësimin pozitiv, ndërkohë që janë evidentuar edhe një sërë problemesh, të cilat ndikuan negativisht në mbarëvajtjen e tij të plotë. Lëvizja Europiane Shqipëri, financuar nga Ambasada e SHBA-së në Shqipëri gjatë muajve prill-qershor 2009, ka ndërmarrë projektin "Monitorimi i procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimin elektronik". Në raport citohet se në një periudhë pesëmujore janë ndërmarrë 7 iniciativa ligjore dhe nënligjore me ndikim çorientues në proces. Nga grupi i monitorimit ka rezultuar se pjesa më e madhe e të intervistuarve nuk kanë informacion lidhur me mënyrën dhe masën e rimbursimit. Pritja në radhë e aplikuesve konsiderohet problematike si në periudhën e fazës së parë të monitorimit prill-maj, ashtu edhe gjatë muajit qershor. Kohëzgjatja më e shkurtër për tërheqjen e letërnjoftimit nga dita e aplikimit ka qenë 14 ditë, ndërsa më e gjata 125 ditë nga dita e kryerjes së aplikimit. "Procesi i pajisjes me karta identiteti filloi me vonesë në raport me emergjencën e pajisjes së gjithë shtetasve me dokument të besueshëm identiteti para qershorit 2009", citohet në raportin e EMA-s. Ndër faktorët të cilët ndikuan negativisht në proces dhe që çuan në mosrealizimin e plotë të tij është prodhimtaria e bollshme e akteve ligjore dhe nënligjore, shpesh herë në kontradiktë me njëra-tjetrën dhe në afate kohore shumë të kufizuara. Ato vlerësohet seshkaktuan konfuzion te shtetasit dhe sidomos çështja e rimbursimit që ndikonte drejtpërdrejt në ekonominë personale të tyre nxiti konfuzionin dhe dekurajimin për të aplikuar. "Parashikimet problematike e të pakuptimta në lidhje me shtresa të ndryshme të shoqërisë, si romët, problemet për aplikim për shkak të kateve të larta të zyrave të aplikimit të paraplegjikëve dhe të moshuarve, ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike dhe të lidhjes së internetit, ishin faktorë të tjerë që ndikuan në mbarëvajtjen e procesit dhe në mospërfundimin e tij të plotë para datës së zgjedhjeve", citohet në raport. Të gjitha këto dhe mungesa e një fushate të gjerë e të qartë sensibilizimi dhe informimi për shtetasit shkaktoi konfuzion te shtetasit. Po kështu, kohëzgjatja e radhëve në nivele të ekzagjeruara deri në 3.5 orë, puna me orare të reduktuara në zyra, si dhe oraret e ndryshme të punës nga njëra zyrë në tjetrën, ishin një element tjetër që ndikoi drejtpërdrejt në proces dhe ushqeu dekurajimin e shtetasve për aplikim. Lëvizja Europiane në Shqipëri bën me dije se "sistemi i mbrojtjes së të dhënave personale ishte komplet i paqartë dhe në shkelje të hapur me ligjin". EMA vlerëson organizimin dhe ngritjen në një kohë shumë të kufizuar të sistemit të aplikimit dhe tërheqjes së kartave në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Nota pozitive ka marrë edhe bashkëpunimi i punës i të gjithë faktorëve administrativë dhe institucionalë për organizimin e këtij procesi. Gjatë procesit të monitorimit, Lëvizja Europiane në Shqipëri vlerëson edhe përgatitjen e kartave në afate të kufizuara nga firma kontraktuese përtej parashikimeve kontraktuale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›