E Diel, 1 Nëntor 2026

Këmisha e tradhtisëNga Gjon KekaBallkani është një mozaik i shteteve të dobëta, pa zhvillim ekonomik, me mbi 70% të papunësisë, korrupsion të përhapur dhe një vend që nuk ka besim tek institucionet e demokracisë në zhvillim etj. Edhe pse tani luftëra

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Këmisha e tradhtisëNga Gjon Keka

Ballkani është një mozaik i shteteve të dobëta, pa zhvillim ekonomik, me mbi 70% të papunësisë, korrupsion të përhapur dhe një vend që nuk ka besim tek institucionet e demokracisë në zhvillim etj. Edhe pse tani luftërat kanë përfunduar, dhuna akoma duket në ajrin e këtij gadishulli të trazuar. Bashkimi Evropian dhe SHBA kanë investuar dhe po investojnë ende në Gadishullin e Ballkanit me miliarda euro, si p.sh., rindërtimin e institucioneve, zbatimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, sigurinë etj.

Megjithatë sot Ballkani Perëndimor mbetet një vrimë e zezë si pasojë e krimit të organizuar, rrezikut nga terrorizmi, shenjat e luftërave civile, korrupsioni, pasiguria etj.

Është e vështirë dhe e pamundur që sot pas rënies së ndërtesës së ish-Jugosllavisë t’i detyrosh popujt në Gadishullin e Ballkanit të bashkëjetojnë. Ata nuk dëshirojnë të qëndrojnë krah njëri-tjetrit në zhvillimet pozitive, sepse ekzistojnë dhe janë ende aktuale doktrina dhe ideologjitë që mbajnë gjallë urrejtjen ndaj të tjerëve. Tani këto ideologji rrënuese kanë prejardhjen nga gjirizet e Orientit. Këto rryma të reja, por me ideologji rrënuese dëshirojnë që Ballkanin ta kthejnë në aventurën e përgjakshme të shekujve që lamë pas. Pikërisht këto dukuri të reja me karakter shpërthyes në Ballkan për BE dhe SHBA paraqesin një nga sfidat më të mëdha.

Pas 11 shtatorit 2001 askush nuk mund t’ia lejojë luksin vetvetes, siç po ndodh në Kosovë, e cila është bërë një vrimë e zezë e rrezikut nga terrorizmi, krimi i organizuar e korrupsioni. SHBA dhe BE nuk duhet t’i shmangin potencialet politike, ushtarake dhe financiare ndaj këtij rajoni në betejën kundër terrorizmit dhe sëmundjeve të tjera të ideologjive rrënuese. Të gjithë kemi dëgjuar se vendet e Ballkanit synojnë anëtarësimin në Unionin Evropian, por, derisa ato nuk bashkëpunojnë në formë të ndërsjellë për të stabilizuar rajonin, ato do të lëvizin në drejtim të kundërt, sepse shenjat sot tregojnë se disa nga vendet ballkanike jetojnë me dy faqe, herë nga Lindja e herë e nga Perëndimi. Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet t’iu besojë disa nga liderëve të vendeve ballkanike, sepse ata po e gënjejnë vetveten dhe bashkësinë ndërkombëtare, ata po luajnë rolin e “judës tradhtar” dhe kanë veshur këmishën e tradhtisë. Njëkohësisht, problemet me të cilat ballafaqohen disa nga vendet ballkanike janë shumë reale dhe shumë të rrezikshme. Ish-Jugosllavia është ende një rrëmujë e shteteve të dobëta në mënyrë kronike që në çdo hap mund të vëresh mungesë paqeje dhe sigurie e zhvillimi pozitiv.

Përfituesit më të mëdhenj të këtij dezorganizimi janë mafiet kriminale, terroristët islamikë që kanë ngritur rrjetet e tyre të gjera në tërë Kosovën. Këto rrjete terroriste islamike dhe mafioze nuk njohin kufij nacionalë. Këto rrjete kriminale dhe terroriste islamike po lejohen të fuqizohen, saqë tash mund të thuhet se Kosova dhe disa nga vendet ballkanike dominohen nga rrjete të organizatave terroriste islamike, të kriminalitetit, korrupsionit etj. Ndërkaq Kosova, ndonëse në dukje i ngjan një shteti të mbikëqyrur, në realitet dhe në thelb i ngjan më shumë një “ishulli të trazuar” që çdo ditë po e tregon vetveten se nuk është e aftë të mbajë në duar fatin e saj dhe proceset e së ardhmes. Institucionet e Kosovës më shumë janë duke korrur frytin e disfatave sesa fitoreve gjatë procesit të shtet-ndërtimit, këto disfata vijnë si rezultat i keqqeverisjes, humbjes së vizionit, mungesës së identitetit, dinjitetit etj. Ja se si shprehet filozofi i njohur gjerman, Fichte, në fjalimet e tij për kombin gjerman: “Humbja e pavarësisë së një kombi e bën të pamundur që ky komb të ndërhyjë në rrjedhën e ngjarjeve të historisë për t’i orientuar ato sipas dëshirës së vet. Derisa ky komb të mos ketë dalë nga kjo gjendje, nuk mund të vendosë dot as për veten, as për kohën e tij…”

Pikërisht ky imazh i keq i institucioneve të Kosovës po reflekton negativisht në të gjitha sferat e jetës dhe ardhmërisë së shtetit të mbikëqyrur të Kosovës në sytë e bashkësisë ndërkombëtare. Tani, pas marrjes së gjysmë-përgjegjësisë nga ana e institucioneve të Kosovës, mund të vërejmë se në ç’duar ka rënë Kosova dhe e ardhmja e saj, tani pikërisht në Kosovë çdo gjë e shenjtë profanohet dhe çdo gjë që ka qenë pjesë e kulturës burimore dhe gjenezës shkatërrohet pamëshirshëm nga vetë duart e institucioneve të Kosovës. Tani në Kosovë është duke u mbjellë një kulturë e egër e Orientit dhe sëmundjeve të saj vdekjeprurëse. Nga këto procese të çoroditura Kosova dita-ditës po e humb arsyen dhe ardhmërinë e saj evropiane, ajo po shndërrohet në një vend të egër, të infektuar thellë nga një ideologji rrënuese e ekstremizmit islamik. Janë pikërisht institucionet e Kosovës që po lejojnë që në Kosovë të kundërmojë era e gjirizeve orientale dhe lloj-lloj sëmundjesh që në një të ardhme të afërt do të kenë konsekuenca të paparashikueshme dhe kjo e keqe do mund të kalojë në një sëmundje epidemike. Kosova po ecën tani kryengulthi, ajo po e mbyt ardhmërinë dhe po i shkel me dy këmbë tërë përpjekjet e së kaluarës së kombit shqiptar. Pra një komb që humb të vërtetën dhe arsyen e së kaluarës së tij, ai humb ardhmërinë e tij dhe rrezikon të zhduket. Kjo do mund gjithashtu ta shndërronte Kosovën në një vend që bën vezët e kriminalitetit dhe terrorizmit islamik, kjo do ia humbte Kosovës imazhin, vizionin dhe vendin e saj drejt integrimit në familjen evropiane dhe proceseve tjera zhvillimore pozitive. Kombi shqiptar në përgjithësi e në veçanti Kosova nuk ka si t’i shpëtojë ligjit të historisë, sepse pikërisht ajo duhet të mendojë dhe duhet të dijë të njohë nevojën historike për të qenë pjese e proceseve demokratike dhe zhvillimeve moderne, si dhe ecjes në rrugën e proceseve të integrimit në Unionin Evropian. Vetëm atëherë kur kombi shqiptar dhe Kosova në veçanti të gjejë identitetin e saj duke hequr qafe bishtrat djallëzorë, atëherë ajo do mund të jetojë me kryet lart dhe të krenohet me historinë dhe të ardhmen që e pret, përndryshe do të lihet përjetësisht me zinxhirët e fatit e zënë skllave nga infeksionet dhe sëmundjet e Orientit. Sidoqoftë, duhet cekur se është për keqardhje se sa mjeranë që janë politikanët e Kosovës që lavdërojnë vetveten dhe gënjejnë duke u thirrur në arritje të verbra që kanë errësuar ardhmërinë e kombit shqiptar në përgjithësi dhe janë rrekur kështu drejtë utopisë dhe iluzioneve (…) Nuk mund të ketë paqe në një vend që lejon sëmundje të ndryshme, krimin e organizuar, terrorizmin, prodhojnë pasiguri etj. Jo rastësisht e ka thënë filozofi gjerman Immanuel Kant se “paqja nuk mund të ruhet, kur disa janë të skllavëruar, e disa të lirë.”

Dhe krejt në fund, Ballkani e në veçanti Kosova nuk duhet lejuar të shndërrohet në një vrime të zezë të terrorizmit islamik si Afganistani, Iraku, Irani dhe vendet e tjera të Orientit të sëmurë nga ky helm vdekjeprurës.

Gjithashtu, SHBA dhe BE duhet ta mendojnë edhe këtë gjë se myslimanët ekstremistë të Kosovës dhe disa nga vendet e tjera të rajonit ballkanik me përbërje myslimane ekstremiste në një të ardhme do mund të ketë shenja të marrjes së pozicionit antiamerikan dhe antievropian. Kjo nuk duhet të injorohet assesi nga bashkësia ndërkombëtare, sepse më vonë do mund t’iu kushtojë shtrenjtë, dhe investimet që kanë bërë në demokratizmin e Ballkanit do mund të fundoseshin nga vendet që do ngrenë krye kundër vetë demokracisë botërore dhe civilizimit perëndimor. Askush nuk e ka atë komoditet që të thotë se Ballkani e ka kaluar krizën e tij (…). Jo, pikërisht tani ky rajon është ende në krizë të thellë. Kosova ende është në rrëmujë. Maqedonia, Bosnja, Serbia etj., etj., po ashtu. Prandaj duhet angazhim i madh nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare për të evituar që Kosova të bëhet vrimë e zezë e krimit të organizuar, korrupsionit, terrorizmit islamik dhe sëmundjeve të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›