Meta ftesë Berishës dhe Ramës: Të votojmë sa më parë tri ligjet
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i është rikthyer edhe një herë çështjes së votimit të tri ligjeve të mbetura pa miratuar në Kuvend. Në një dalje për mediat, Meta u bëri thirrje kryeministrit Berisha dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama por edhe deputetëve të parlamentit që të votojnë tre ligjet brenda kësaj legjislature duke i dhënë mundësi vendit që të marrë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti.
Apeli
Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim dëshiroj të ftoj kryetarin e PD-së, Berisha dhe kryetarin e PS-së, Rama, por edhe të gjithë kolegët e tjerë, përfaqësues të forcave politike në kuvendin aktual, që në seancën më të parë të miratojmë rregulloren e parlamentit dhe dy projektligjet e tjera, të cilat janë konsideruar prej kohësh si një minimum i domosdoshëm për arritjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian nga Shqipëria, apeloi Meta. Në vijim të fjalës së tij, Meta i cilësoi si tepër të rëndësishme tre ligjet, ndërsa e quajti si një përgjegjshmëri politike përballë interesave madhore të vendit miratimin e tyre. Kjo sjellje e parlamentit do të ishte një shenjë e qartë e përgjegjshmërisë politike përballë interesave madhore që ka vendi dhe e ardhmja e tij evropiane pavarësisht nga e shkuara konfliktuale apo nga gara elektorale e cila po kështu ka nisur. Duke ecur në këtë mënyrë, sikurse propozojmë ne si Lëvizje Socialiste për Integrim, bëjnë të mundur që këto ligje të miratohen tani që jemi në mbyllje të këtij sesioni parlamentar, duke fituar të gjithë kohën e nevojshme në mënyrë që vendi të sigurojë patjetër mundësinë e marrjes së statusit kandidat brenda këtij viti, vlerësoi Ilir Meta. Në rast mos votimi të këtyre ligjeve gjatë kësaj legjislature, Meta tha se miratimit i këtyre tre akteve do të mbetet për parlamentin e ardhshëm, por sigurisht që ky parlament do të mbyllte të gjithë aktivitetin e tij, duke marrë përgjegjësi shumë të madhe dhe njëkohësisht një vonesë e mëtejshme vetëm sa do të pakësonte shanset që vendi ta fitojë statusin e vendit kandidat të Bashkimit Evropian brenda këtij viti.
Berisha i përgjigjet Metës: Jemi
të gatshëm të votojmë tre ligjet
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, kryeministri Berisha i wshtw përgjigjur edhe apelit tw Ilir Metws, duke deklaruar se maxhoranca është e gatshme që të votojë tre ligjet, por ky proces sipas kreut të qeverisë po bllokohet nga opozita. Për çdo seancë kryetarja Topalli ka përsëritur thirrjen e saj për votimin e 3 ligjeve. Nuk u bë. Statusi humbi, por nuk humbi demokracia shqiptare do ketë zgjedhje dhe zgjedhjet janë një avancim dhe konsolidim i madh i saj dhe sa i përket ligjeve jemi gati ti votojmë ato. Jemi gati ti votojmë çdo ditë. 10 ditë më parë ishte prapë Rama që përmendte Fierin, janë cinikë për të krijuar pseudo-ngjarje. Ne jemi të gatshëm, kemi qenë të gatshëm, do jemi të gatshëm për të votuar 3 ligjet dhe çdo ligj, çdo marrëveshje i shërben integrimit të vendit, BE. Ne jemi të vendosur të çojmë para këtë proces, reformat tona bënë të mundur që Shqipëria të marrë statusin me 3 ligjet, tha kryeministri Berisha.