Meta i bën thirrje Ramës të mos shtyjë rezultatin e zgjedhjeve
TIRANË - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i bëri thirrje forcave politike të mos shtyjnë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Nis nga fakti se Partia Socialiste ka ankimuar tabelat e rezultateve në qarqet, Fier, Berat, Shkodër dhe Tiranë, procedurë që kërkon kohë për shqyrtim nga KQZ, aleati i Berishës bën thirrje që kjo punë të mbarojë sa me shpejt.
Në një konference për shtyp në selinë e LSI-së, Meta tha se shtyrja e vazhdueshme e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nuk e ndihmon imazhin e Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s dhe aq më tepër proçesin e integrimit europian.
Sipas tij, janë absurde pretendimet që ngrihen në vazhdimësi për mosnjohje të zgjedhjeve apo qoftë dhe për përsëritje të tyre, pasi kjo është një fyerje që u bëhet qytetarëve shqiptarë. Meta iu bëri thirrje hartuesve të Kodit dhe bashkëadministruesve të proçesit zgjedhor dhe të numërimit të votave të ngrihen mbi interesat e tyre partiake, të lexojnë me përgjegjësi rezultatin përfundimtar dhe të nxjerrin përgjegjësitë e tyre politike para gjithë qytetarëve.
Lideri i LSI-së, Ilir Meta, u ndal edhe tek proçesi i liberalizimit të vizave, duke premtuar se koalicioni i ri do të realizojë synimin madhor të shqiptarëve, liberalizimin e vizave, duke shtuar se nuk ka negociata për poste sepse kryefjala e këtij koalicioni është integrimi i Shqipërisë në BE si dhe liberalizimi i vizave në një të ardhme të shpejtë.