E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ rrëzon sërish PS-në, Ristani: S'mund të numërojmë gjithë Shkodrën

TIRANË - Është rrëzuar sërish ankesa e PS-së për rivlerësim e votave. Sot KQZ mori në shqyrtim ankesën për qarkun e Shkodrës dhe me shumicë votash vendosi të mos hapet asnjë kuti e këtij qarku. Sipas kryetarit Ristani, KQZ s'ka kompetencë për të rinumëruar votat e gjithë qarkut.

Sipas tij, kërkesa e PS-së në këtë rast nuk është për rinumërimin e disa votave të caktuara, por për rinumërim të votave për një qark të tërë dhe kjo nuk është kompetencë e parashikuar në Kodin Zgjedhor, ndaj dhe kërkesa e dy anëtarëve është e pabazuar në ligj.
Ankesa e PS-së konstatonte parregullsi gjatë numërimit të votave në KZAZ-në nr. 40, 41, 42, 43 e 44, dhe ky subjekt kërkoi rinumërim dhe rivlerësim të votave. Nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi duke mbështetur ankesat në fjalë kërkoi nga Komisioni që të zbatojë nenin 138 (pika 3), për hapjen e kutive të votimit dhe rinumërim të votave.

Zgjedhjet në këtë qark janë kontestuar edhe nga Partia Demokristiane e cila ngriti pretendimin se në disa KZAZ të Shkodrës këtij subjekti nuk i janë lejuar vëzhguesit e tij të monitorojnë numërimin e votave, gjë që sipas tyre ka sjellë parregullsi dhe ka ngritur dyshime se votat nuk janë ndarë si duhet. Kërkesa u hodh poshtë nga KQZ-ja.

Po sot Komisioni pranoi kërkesën ankimore të PD-së duke u shprehur për thellim të hetimit administrativ me kqyrje të kutive të votimit me nr. 0211 dhe 0342 të KZAZ-së nr.41 në Qarkun Shkodër, procedurë që pritet të zhvillohet nga KQZ në mbledhjen e orës 17:00. Vendimmarrja për të tre ankesat nga KQZ pritet të jepet zyrtarisht në mbledhjen e pasdites.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›