Ndërpritet seanca, debate mes Topallit dhe Ruçit

Që në fillim të saj seanca plenare është shoqëruar me debate të ashpra mes kreut të grupit të PS-së Gramoz Ruçi dhe kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli për situatën e emergjesës duke bërë që Kuvendi të ndërpresë edhe punimet. Kryetari i grupit socialist Ruçi ka theksuar se kjo seancë nuk mund të vijojë normalisht pasi vendi po kalon një situatë emergjente.
“Vendi po kalon në një situatë jo normale dhe në këto kushte çdo parlamend nuk do të merret me punën rutinë por të informonte për situatën. Shefi i ekzekutivit duhet të ishte në seancë ku të raportonte për situatën dhe të kërkonte edhe mendimin e të zgjedhurve të popullit qofshin këta të mazhorancës apo të opozitës. Edhe pse kemi dallime kjo fatkeqësi duhet të na bashkojë dhe oferta e opozitës është bërë e njohur prej ditësh” ka theksuar Ruçi.
Por fjalimi i tij është kundërshtuar nga kryetarja e Kuvendit e cila ka theksoi se deklarata e tij është jashtë rendit të ditës. “Hipokrizia nuk ju mungon por të ishte serioze do të bënit pyetje dhe inteperlancë. Je kundër rregullores” ka theksuar Topalli ndërsa më pas ka njoftuar edhe ndërprerjen e seancës.
Ndërkohë Partia Socialiste pritet të prezantojë sot në seancë edhe planin afatmesëm e afatgjatë të masave që sipas saj do ta nxjerrë vendin nga situata e shkaktuar nga bora në zonat veriore dhe verilindore të vendit.
Sipas PS-së plani i masave që do të përfshijë: Identifikimin e kostove të hapjes dhe mbajtjes të hapur të rrugëve kombëtare, hapjen e rrugëve që lidhin qytetet me komunat dhe fshatrat, furnizim të menjëhershëm me ujë të qyteteve dhe komunave, furnizim të menjëhershme me barna, furnizim të menjëhershëm me gaz, qymyr dhe dru për 3 muaj dhe identifikimin e të gjithë dëmeve të shkaktuara.
Në rendin e ditës parashikohen 10 pika, mes të cilave ligji për disa ndryshime në Kodin Civil, që kërkon votim me shumicë të cilësuar, pra miratimin edhe të opozitës.