E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Meta i shqetësuar: “Shqipëria, vendi i fundit në Europë për numrin e mjekëve për banorë, shkretim i programuar nga “Rilindja”!”.

Presidenti shqiptar Ilir Meta ka shprehur shqetësimin se Shqipëri është renditur si vendi i fundit në Europë për numrin e mjekëve për banorë, ndërsa e ka konsideruar si një shkretim i programuar nga “Rilindja”.

Në një status në Facebook zoti Meta i referohet Fondacionit Europian të Burimeve Njerëzore të Kualifikuara.

Sipas tij ky është “Një tregues dramatik dhe alarmant i përkeqësimit të shërbimeve, por edhe të gjendjes shëndetësore të popullatës”.

“Kjo është pasoja e dëmeve të pallogaritshme që prodhoi mjekësia koncensionare, korruptive dhe e trajtimeve fiktive, që u mbylli shtigjet e karrierës dhe të profesionit mijëra të rinjve mjekë dhe infermierë, që u detyruan të braktisin Shqipërinë për të shërbyer në klinikat dhe spitalet e Gjermanisë dhe Europës” shkruan zoti Meta.

“Ndaj renditemi ndër të parët në kontinent për numrin e lartë të vdekjeve nga pandemia COVID-19 në raport me popullsinë, për shkak të mangësive alarmante në personel të kualifikuar dhe pajisje shëndetësore, që ndikuan në strategjinë e gabuar që u ndoq në zbulimin, parandalim dhe mjekimin e duhur” vazhdon presidenti.

Sipas tij “Nuk ka sesi të mos renditemi të parët edhe për frekuencën e shfaqjeve të sëmundjeve sistemike dhe kronike, kur një mjek paguhet 20 herë më pak se një tellall i Qeverisë që del çdo natë në banaqet televizive dhe paguhet si drejtor marketingu në spital”.

“Largimi i mjekëve dhe i infermierëve duhet të ndalet dhe do të ndalet vetëm kur të çmontohet kapja e sistemit nga pak duar oligarkësh të cilët po mbajnë peng shëndetin e popullit, por edhe karrierën dhe të ardhmen e profesionistëve të shëndetit.
Koha për të ndalur këtë shkretim të programuar nga “Rilindja”!” mbyll statusin e tij presidenti Ilir Meta.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›