Kryetari i ri i PD, ‘Rithemelimi’ miraton rregulloren: Çdo kandidat me vëzhguesin e numëruesin e tij, akses në lista zgjedhore

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në PD ka miratuar rregulloren e re për zgjedhjen e kryetarit të PD-së. Në rregulloren e re çdo kandidati i jepet e drejta të përcaktojë vëzhguesin e tij të përhershëm në komision si dhe të ketë numëruesin e tij në tavolinën e numërimit të votave për të eliminuar ankesat në procesin e numërimit të votave, në mënyrë që të jetë procesi hapur dhe i drejtë.
Gjithashtu kandidatët do të kenë akses të plotë në listat zgjedhore dhe mund të përdorin selinë e PD qendrore por edhe ato në rrethe për të zhvilluar takimet e tyre elektorale. Sipas rregullores së re , kandidatët duhet të përcaktojnë vëzhguesit e tyre të përhershëm deri më 10 maj 2022.
Këto ndryshime të rregullores u cilësuan nga anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Eno Bozdo si ‘drastike’ duke pasur parasysh gjithçka ka ndodhur vitet e fundit.
“Ndryshimi i parë, administrimi i procesit zgjedhor. Çdo kandidat të caktojë pranë komisionit tonë një vëzhgues të tij të përhershëm ka akses të plotë në veprimet e komisionit, merr pjesë në gjithë mbledhjet e merr fjalën kur ka propozime apo ankesa. Ndryshimi vjen që në komisionin e votimit e numërimit në degë do caktohet një përfaqësues në komisionin e votimit. Kandidatët dikur kishin vëzhgues e ka pasur ankesa për mënyrën si janë drejtuar vëzhguesit. Për ti dhënë fund kësaj praktike tani kandidati do ketë njeriun e tij në tavolinën e komisionit të votimit, ka akses të plotë mbi listën zgjedhore mënyrën si bëhet identifikimi i votuesve e pastaj në numërimin e fletëve të votimit. Ndryshimi tjetër që është thelbësor e ka qenë pikë e nxehtë në gjithë debatet tona të brendshme, aksesi i kandidatëve në listat zgjedhore. Në emër të të dhënave personale, një akes i tillë s’ka qenë i mundur. Tani përcaktohet që komisioni ynë ka përgjegjësinë ti japë akses të plotë e të menjëhershëm çdo kandidati në listën zgjedhore. Ky akses fitohet pas regjistrimit të kandidatit nga komisioni ynë”, tha Bozdo.
Më 22 maj do të zhvillohen zgjedhjet për kreun e PD-së. Deri më tani vetëm Sali Berisha ka dorëzuar kandidaturën e tij, ndërsa sot është afti i fundit për çdo demokrat që synon drejtimin e Partisë Demokratike.
/rtsh.al/