E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta kërkon njohjen e Kosovës nga Guatemala

Guatemalë, 31 gusht, NOA Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, vendet që janë skeptike kanë një arsye më shumë për të njohur shtetin e ri.

Për këtë qëllim, zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta ka kërkuar sot nga zëvendëspresidenti i Guatemalës, Rafael Espada njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ky vend.

Z. Meta kërkoi nga Zv. Presidenti i Guatemalës që vendi i tij të shqyrtojë me përparësi njohjen e shtetit të Kosovës, duke patur parasysh zhvillimet e reja pas Opinionit Këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, njofton zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme.

Nga ana tjetër në takim u fol dhe për rritjen e marrëdhënieve dypalëshe dhe konkretizimit të tyre përmes nënshkrimit të disa marrëveshjeve të rëndësishme. Marrëveshjet janë të karakterit ekonomik dhe tregtar.

Gjithashtu Meta dhe Espada ranë dakord që mes dy vendeve të ketë bashkëpunim në kuadër të organizatave ndërkombëtare dhe sistemit të Kombeve të Bashkuara.

Nga ana tjetër zëvendëspresidenti Espada vlerësoi interesin e Shqipërisë për tu anëtarësuar me statusin e vëzhguesit në Organizatën e Shteteve Amerikane (OSA) dhe garantoi për mbështetjen e vendit të tij.

Ai ka theksuar se ky është një hap pozitiv që i shërben njohjes më të mirë reciproke dhe dimensionit të ri human që kanë marrë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe bashkëpunimi mes shteteve në shekullin e 21-të.

a.k/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›