Mosdeklarimi i 74 mijë eurove, paditet ambasadori shqiptar në ÇekiNga TemaAmbasadori shqiptar në Çeki, Qazim Tepshi, është paditur në prokurori nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, pasi, sipas këtij të fundit, Te
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Mosdeklarimi i 74 mijë eurove, paditet ambasadori shqiptar në ÇekiNga TemaAmbasadori shqiptar në Çeki, Qazim Tepshi, është paditur në prokurori nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, pasi, sipas këtij të fundit, Tepshi ka mbajtur të fshehtë shumën prej 74 mijë eurosh, duke mos i deklaruar ato. Sakaq, ILDKP ka paditur edhe inspektoren e tatimeve, Merita Aleksi, për mosdeklarim të disa shumave të konsideruara. Paditë janë dorëzuar në organin e akuzës, i cili tashmë pritet që të nisë hetimet.
Padia ndaj ambasadorit
Fshehja e pasurisë dhe deklarimi i rremë për të ka bërë që Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë të dorëzojë një kallëzim penal ndaj ambasadorit shqiptar në Çeki, Qazim Tepshi. Sipas ILDKP, Tepshi nuk ka deklaruar shumat prej 35 mijë dhe 39 mijë eurosh. Sipas kësaj të fundit, Qazim Tepshi, në deklaratat e tij të interesave private ndër vite, nuk ka pasqyruar një shumë prej 35.000 eurosh të depozituara në një nga bankat e nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri. Po ashtu, ambasadori shqiptar në Çeki nuk ka deklaruar një transaksion bankar në shumën e 39.000 eurove, e cila i është kaluar në llogarinë e tij bankare nga një person i tretë. Sipas ILDKP, i pyetur lidhur me pasaktësitë e evidentuara, Tepshi është përgjigjur se nuk e ka gjykuar të deklarojë këtë shumë, sepse nuk janë krijuar nga puna në ambasadë. Por, “në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 9049, dt. 10.4.2003 “Për deklarimin e pasurisë...” dhe ligjit nr. 9367, dt. 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave...”, ILDKP i vlerëson argumentet e subjektit të pabazuara, duke i konsideruar shkelje të ligjit, bëri të ditur ILDKP. Sakaq, sipas këtij të fundit, gjatë hetimit administrativ dhe korrespondencës me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Inspektorati i Lartë ka evidentuar gjithashtu se, Tepshi ka qenë administrator i shoqërisë “Saitan”, aktivitet i mbyllur në vitin 2003, për të cilin ka mbetur pa shlyer detyrime tatimore në vlerën 2.666.192 lekë. “Pas përfundimit të hetimit administrativ, ILDKP konstatoi fshehje të pasurisë e deklarim të rremë nga subjekti Qazim Tepshi, me funksion Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Çekisë dhe për këtë arsye dërgoi një kallëzim penal në prokurori”, - bëri të ditur ILDKP në një komunikatë për shtyp. Padia ndaj ambasadorit shqiptar në Çeki, Qazim Tepshi, tashmë pritet që të merret në shqyrtim nga ana e organit të akuzës për veprën penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.
Padia ndaj punonjëses së tatimeve
Përveç ambasadorit shqiptar në Çeki, Qazim Tepshi, ILDKP ka paditur në prokurori edhe punonjësen e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Merita Aleksi. Sipas ILDKP, Aleksi në deklaratat e interesave private ndër vite nuk ka pasqyruar depozita dhe llogari bankare në disa banka të nivelit të dytë, të cilat arrijnë shumën 3.589.048 lekë. Po ashtu, nga hetimi administrativ i ILDKP për pasurinë e deklaruar të Aleksit dhe familjarëve të saj rezulton se nuk janë pasqyruar në deklarata depozita dhe llogari bankare të bashkëshortit të saj, Diogjen Aleksi, në shumat: 12.570.872 lekë; 12.766 euro dhe 11435 dollarë. Sakaq, sipas ILDKP, Aleksi mosdeklarimin e këtyre pasurive e ka argumentuar duke thënë se, “nuk i kam deklaruar, sepse nuk kam menduar se duheshin deklaruar të ardhurat e përfituara nga veprimtari të punëve dytësore”. Sipas saj, vlerat monetare të depozituara në bankë, të cilat nuk janë deklaruar, janë krijuar nga aktiviteti i bashkëshortit të saj në disa punë dytësore. “Inspektorati i Lartë vlerëson se argumentet e sjella nga subjekti janë në kundërshtim me kërkesat e parashikuara në ligjin nr. 9049, dt. 10.4.2003 dhe ligjin nr. 9367, dt. 7.4.2005 dhe se me veprimet e saj subjekti Merita Aleksi ka konsumuar elementët e veprës penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë...”, dhe për këtë është kërkuar nga organi i prokurorisë nisja e procedimit penal”, - bëri të ditur ILDKP. Gjatë këtij viti, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka kallëzuar penalisht në organin e prokurorisë 12 subjekte, nga të cilët 6 për “Fshehje të pasurisë, mosdeklarim ose deklarim të rremë” dhe 6 subjekte për “Refuzim për deklarim”