E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta lobon për njohjen e Kosovës në Guatemala

01/09/2010 Turi diplomatik

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, në takmin që pati dje me Zëvendëspresidentin e Republikës së Guatemalës, Rafael Espada, ka kërkuar që vendi i largët të shqyrtojë me përparësi njohjen e shtetit të Kosovës. Kërkesa e shefit të diplomacisë shqiptare u mbështet duke pasur parasysh zhvillimet e reja pas opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi pavarësinë e Kosovës. Gjithashtu, mësohet se gjatë këtij takimi, Meta dhe Espada theksuan rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe konkretizimit të tyre përmes nënshkrimit të disa marrëveshjeve të rëndësishme në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, sikurse dhe bashkëpunimit mes dy Ministrive të Jashtme. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë MPJ-së, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin qëndrim se bashkëpunimi në kuadër të organizatave ndërkombëtare dhe sistemit të Kombeve të Bashkuara është një platformë e rëndësishme që kontribuon në garantimin e paqes dhe sigurisë globale. Nga ana e tij Espada vlerësoi interesin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar me statusin e vëzhguesit në Organizatën e Shteteve Amerikane dhe garantoi për mbështetjen për këtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›