E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta mbledh Komitetin e Aleancës së Qytetërimeve

Gjatë kësaj mbledhje, Meta bëri një ekspoze të punës së kryer nga Ministria e Punëve të Jashtme në zbatim të Strategjisë Kombëtare për Dialogun Ndërkulturor, të miratuar në janar të vitit 2009.

Me këtë rast, ai ka përmendur ndër të tjera edhe Konferencën Rajonale të Sarajevës (dhjetor 2009), gjatë së cilës u miratuan Strategjia Rajonale për Dialogun Ndërkulturor dhe Bashkëpunimin në Evropën Juglindore dhe Deklarata e Përbashkët e Ministrave të Punëve të Jashtme të Rajonit për Dialogun Ndërkulturor dhe Bashkëpunimin. Kjo strategji është e para e llojit të saj, e ndërmarrë nën ombrellën e Aleancës së Qytetërimeve.

Në planin kombëtar, Meta përmendi organizimin e Forumit të Dialogut Ndërfetar për Evropën Juglindore, i mbajtur në Tiranë në Janar të vitit 2009, si dhe vuri theksin mbi punën e kësaj Ministrie për përforcimin e rolit të Koordinatorit Kombëtar për Aleancën e Qytetërimeve, post që mbahet nga z. Besnik Mustafaj që prej majit të vitit 2009.

Në këtë takim, ishin të pranishëm edhe ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z. Spiro Ksera, zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, zëvendësministrja e Kulturës, Suzana Turku, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik, komuniteteve fetare dhe shoqërisë civile. Në fund të takimit, u ra dakord për ngritjen e një grupi pune ndërinstitucional, në nivel teknik, për të mundësuar zbatimin më të shpejtë dhe efikas të objektivave të Strategjisë Kombëtare për Dialogun Ndërkulturor. Mbledhja e radhës e këtij komiteti do të mbahet në qershor të vitit 2010.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›