Meta mbledh krerët e partisë: Gati të mbrojmë votën
Sipas tij, Edi Rama po shkatërron PS-në
Strategji konkrete kundër manipulimit të votës
Para se të mbledhë njerëzit në shesh në një protestë tjetër kundër dy partive të mëdha dhe reformës zgjedhore që ata kryen, Ilir Meta, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka thirrur krerët e kësaj partie në rrethe në një takim organizativ. Në këtë takim, edhe një herë Meta ka konfirmuar aksionin politik kundër dy partive të mëdha, duke e fokusuar këtë aksion në mbrojtjen e votës që, sipas tij, rrezikohet nga Kodi i ri Zgjedhor i miratuar prej PD-së e PS-së. Madje, ai foli për një strategji konkrete në mbrojtje të votës, ku në mbështetje të partisë së tij do të ketë ekspertizë të huaj. Në këtë pikë nuk i ka kursyer dhe një herë tjetër kritikat ndaj misionit të OSBE-së, i cili nuk e mbështeti grevën e urisë së deputetëve kundër miratimit të Kodit të ri Zgjedhor. “Asnjëherë tjetër si sot është koha jo vetëm që t’u drejtohemi të gjithë shqiptarëve për të përkrahur LSI-në dhe koalicionin tonë si të vetmen garanci për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e tyre themelore, por njëkohësisht, ne jemi që tani garantët e sigurt të mbrojtjes së zgjedhjeve dhe të votës së çdo shqiptari në qershor 2009”, - tha Meta. Ai bëri të ditur se këtë gjë “do ta realizojmë përmes një strategjie tepër konkrete dhe të mirëfilltë, e cila paralizon skemat manipuluese apo cenuese të votës”. Ai bëri të qartë se për ta realizuar këtë strategji LSI-ja do të ketë një asistencë dhe mbështetje të jashtëzakonshme ndërkombëtare. Ndërkohë, Meta sqaron se kjo asistencë merret pasi nuk ka më besim tek ndërkombëtarët të akredituar në vend, duke u shprehur se “ne me të drejtë nuk mund të besojmë te OSBE-ODIHR-i, te qëndrimet e trefishta, të katërfishta etj”.
Ndërsa nga pikëpamja elektorale duket se LSI-ja do të futet në zgjedhje me një platformë politike të qartë kundër dy partive të mëdha. Duke sulmuar ish-aleatin e tij socialist, Meta tha se “historia na ka ngarkuar me dy detyra shumë të mëdha dhe ne nuk do t’i shmangemi historisë. Përkundrazi, do të dalim faqebardhë përpara saj. E para, të fitojmë zgjedhjet që po afrojnë, sepse Edi Rama nuk është një alternativë ndaj Sali Berishës. Edi Rama tregoi se është më Berishë se Sali Berisha”. Ndërkohë, ai e ka sulmuar Ramën dhe për shkatërrim të partisë që drejton dhe arritjeve të mëdha të kësaj partie, nga e cila vetë Meta ka ikur në vitin 2004. “Edi Rama mezi priste që të vdiste ndonjë nga kolegët e tij ish-socialistë, ashtu sikurse ndien kënaqësinë më të madhe kur shkatërron edhe kontributet më të mëdha që partia që ai posedon sot, ka realizuar gjatë pluralizmit politik të Shqipërisë. Dhe arritjet e saj më të mëdha kanë qenë demaskimi i manipulimit të zgjedhjeve nga Sali Berisha në ’96-ën dhe realizimi i një Kushtetute demokratike dhe evropiane në ’98-ën”, - tha Meta. Në këtë prizëm, sipas tij, Edi Rama është shkaktari kryesor i shkatërrimit të Kushtetutës dhe i betonizimit, jo vetëm të Tiranës, por edhe i pushtetit të Sali Berishës.
Ai ka premtuar se do t’i largojë nga politika të dy liderët e saj aktualë. “Këtë do ta realizojmë me votë në vitin 2009 dhe njëkohësisht bashkë me strategjinë për fitore, do të kemi strategjinë për mbrojtjen e votës, jo thjesht të LSI-së, sepse këta të PS-së që bëjnë një kod që të trembin njerëzit, se do të marrin votat e LSI-së, nuk janë në gjendje të mbrojnë votat e tyre”, - përfundoi Meta dje para zyrtarëve lokalë të partisë së tij.