Topi, gati firmën mbi Kodin e ri Zgjedhor
Drafti, pritet të kalojë dhe provën e Topit
Topalli, të hënën çon Kodin tek Topi
Pas votave të demokratëve dhe të socialistëve, kodi i ri i zgjedhjeve të 2009-ës do të kalojë edhe provën e kryetarit të shtetit. Presidenti Bamir Topi nuk do të vonojë hedhjen e firmës mbi draftin e Kodit të ri Elektoral, pas votimit në Parlament nga dy partitë kryesore në vend. Burime nga Presidenca bëjnë të ditur se kryetari i shtetit, javën që vjen do të dekretojë Kodin e ri Elektoral, pavarësisht kohës limit prej 20 ditëve që i jep ligji. Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka hedhur firmën mbi këtë draft dhe ditën e hënë pritet që drafti t’i dërgohet Presidentit të Republikës për dekretim. Pas miratimit nga Parlamenti dhe firmës së kryeparlamentares Topalli, sipas procedurave kuvendore, drafti i kalon për dekretim kreut të shtetit shqiptar. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është hallka e fundit për miratimin e Kodit të ri Elektoral. Menjëherë pas miratimit nga Parlamenti i Shqipërisë i draftit të hartuar nga Komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore, ligji për zgjedhjet i kalon për t’i dhënë vulën e fundit kreut të shtetit shqiptar. Të drejtat dhe detyrimet e Presidentit të Republikës në raport me ligjet e miratuara nga Kuvendi rregullohen në nenin 84 dhe 85 të Kushtetutës së Shqipërisë. Presidenti i Republikës shpall ligjin e miratuar brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Në të kundërt, ai quhet automatikisht i dekretuar. Ligji hyn në fuqi me kalimin e jo më pak se 15 ditë pas botimit në Fletoren zyrtare. Në rastet e masave të jashtëzakonshme si dhe në rast nevoje e urgjence, kur Kuvendi vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve dhe Presidenti i Republikës jep pëlqimin, ligji hyn në fuqi menjëherë, vetëm pasi të jetë njoftuar publikisht. Presidenti i Republikës ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm një herë. Dekreti i Presidentit për rishqyrtimin e një ligji e humbet fuqinë, kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Duket se e drejta kushtetuese që ligjvënësi i ka dhënë kreut të shtetit për të kthyer një ligj për rishikim nga Kuvendi ka bërë që partitë politike iu drejtuan para disa ditësh për të ndërhyrë e për të mos e miratuar Kodin e ri Zgjedhor, që sipas tyre, shkel të drejtën kushtetuese. Por nga Presidenca jepet siguria e plotë se kryetari i shtetit nuk do të hezitojë firmën mbi draftin që dikton zgjedhje të lira dhe të barabarta për të gjitha palët. Paritë e mëdha që hartuan ligjin e ri të zgjedhjeve kanë akses të përfaqësohen me nga dy anëtarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe në komisionet e qendrave të votimit, por që mbeten jashtë tyre dy partitë të tjera të Parlamentit, LSI dhe PDK. Të dyja këto parti kanë qenë të përfaqësuara në komisionet e mëparshme zgjedhore, me një përfaqësues të tyrin si në KQZ, ashtu edhe në komisionet e niveleve të dyta dhe të treta zgjedhore. Presidenti tashmë do të ketë në dorë dekretimin e draftit për Kodin e ri Zgjedhor që do t’i dorëzohet nga Parlamenti shqiptar. Kodi u miratua me votat e dy partive të mëdha dhe dy aleatëve të afërt, PR-së dhe PSD-së, por që i munguan votat e kundërshtarëve të marrëveshjes PD-PS për hartimin e tij. Kuvendi i Shqipërisë votoi Kodin e ri Zgjedhor mbas 5 orësh diskutimesh në seancën e ditës së martë. Me gjithë grevën 8-ditore të urisë nga deputetët e LSI-së dhe PDK-së dhe me gjithë protestat e qytetarëve jashtë Kuvendit të Shqipërisë, Kodi i ri Zgjedhor ka marrë 112 vota pro, 1 votë kundër dhe 4 abstenim.