E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Meta”, mungojnë programet origjinale që analizojnë videon

14/10/2011  Video-përgjimi. Tre ekspertët hasin vështirësitë e para. Mund të shtyhet përgjigjja

TIRANE- Mungesa e programeve kompjuterike që mundësojnë kryerjen e ekspertizave të materialeve video dhe audio, ka shumë gjasa që të ndikojnë në shtyrjen e afatit të dhënies së konkluzioneve për vërtetësinë e video-përgjimit mes Metës dhe Priftit. Kjo për shkak se tre ekspertët e përzgjedhur nga Gjykata e Lartë, mësohet se kanë shfaqur vështirësi për sa i përket pamundësisë për sigurimin e programacioneve kompjuterike, të cilat mundësojnë verifikimin teknologjik të materialeve që janë të regjistruara në video dhe audio. Mësohet se këtë vështirësi tre ekspertët ia kanë paraqitur pak kohë më parë Prokurorisë, por kjo e fundit nuk i ka dhënë asnjë sugjerim, pasi momentalisht dosja penale në ngarkim të Ilir Metës është në proces gjykimi dhe se ekspertët duhet të depozitojnë kërkesat e tyre në gjykatë dhe jo në institucionin e akuzës. Burime pranë gjykatës thanë se nga ana e tre ekspertëve nuk është paraqitur asnjë kërkesë, por shtojnë se ekspertët të gjitha kërkesat që kishin i dhanë në seancat para betimit. Në seancat e kaluara, kur dhe është bërë përzgjedhja e tre ekspertëve shqiptarë, Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës së Lartë që gjatë zhvillimit të ekspertizës së videos Meta-Prifti, të mos përdoren programet kompjuterike të shkarkuara nga interneti. Sipas kërkesës së Prokurorisë, programet që janë prodhuar posaçërisht për ekspertimin e videove dhe audiove duhet të kenë patentën e autorit dhe në asnjë mënyrë të mos jenë marrë në rrugë pirateske. Sipas kërkesës së akuzës të bërë në Gjykatën e Lartë, në rast se programacionet dhe teknika nuk do ishte origjinale atëherë, kjo do përbënte vepër penale për tre ekspertët e përzgjedhur Artur Rahmani, Adrian Pollo dhe Ermal Beqiri. Për dëgjimin e konkluzioneve të tre ekspertëve Gjykata e Lartë ka caktuar datën 24 tetor, por ka shumë gjasa që kjo datë të shtyhet për shkaqet e sipërpërmendura.

Dritan Prifti

Dëshmitari kryesor Dritan Prifti, që konsiderohet si i penduari i Prokurorisë, u planifikua të dëshmonte, por Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ndryshoi radhën e marrjes së provave, duke shmangur dëshmitarët. Ka shumë mundësi që dëgjimi i 22 dëshmitarëve të Prokurorisë të bëhet në muajin nëntor. Mes dëshmitarëve VIP janë Rezart Taçi, Agim Rrapaj, Dritan Prifti dhe biznesmenë të tjerë.

Përballja Meta-Prifti

Pritet që në muajin nëntor, dy ish-ortakët Meta dhe Prifti të paraqiten sërish në Gjykatën e Lartë ku do ulen përballë njëri-tjetrit për të dëgjuar argumentet dhe kundërargumentet rreth bisedës korruptive të kryer mes tyre për një aferë prej rreth 700 milionë lekësh. Një ballafaqim i tillë u planifikua, por më pas u shty për shkak se gjykata ndryshoi radhën e marrjes së provave materiale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›