E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzimi i statusit, debate në seancën plenare

14/10/2011  Kushtet e BE: Kuvendi shtyn sërish votimin e ligjeve me shumicë të cilësuar

Berisha: Rama kundër të gjithëve. Ruçi: Berisha të japë dorëheqjen

Herion Mesi

Deputetët në Kuvendin e Shqipërisë edhe në seancën e djeshme parlamentare nuk arritën dot të gjenin konsensusin e shumëkërkuar nga ndërkombëtarët mbi nisjen e dialogut për realizimin e reformave. Miratimi i projektligjeve, të cilat kërkojnë 3/5-at e votave të anëtarëve të parlamentit dhe për të cilat opozita refuzon të japë votën, ka bërë që të shtyhet sërish votimi i tyre. Pas përfundimit të replikave mes Kryeministrit Berisha dhe kreut të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, nënkryetari i Kuvendit, Ardian Turku, njoftoi deputetët për shtyrjen sërish të votimit të këtyre projektligjeve. “Shtyrja e votimit të tyre ndodh për mungesë të dakordësisë mes mazhorancës dhe opozitës, ashtu si ka ndodhur dhe në seancat paraardhëse”, u shpreh Turku. Ndërkohë, me shumicë votash Kuvendi miratoi projektligjin “Për mbrojtjen nga rrezatimet jonizuese”, si dhe disa ndryshime në ligjin “Për profesionet e rregulluara”.

Berisha: Ja oferta e mazhorancës

Duke iu referuar refuzimit të statusit nga KE-ja dy ditë më parë, Kryeministri Berisha deklaroi dje se refuzimi i statusit nga ana e BE është pasojë e sjelljes së turpshme të opozitës. Nga foltorja e Kuvendit, Berisha theksoi se ai dhe qeveria e tij do të bëjnë gjithçka që integrimi të jetë proces i pakthyeshëm. “Opozita e miliarderëve voton kundër rritjes së pensioneve, kundër uljes së taksave, ndihmës ekonomike. Këta zotërinj nuk kanë bllokuar vetëm ligjet me 3/5-at, por kanë votuar kundër të gjitha ligjeve të votuara në këtë sallë”, tha Berisha. Gjatë fjalimit të tij, kreu i mazhorancës iu drejtua deputetëve socialistë duke iu ofruar atyre bashkëpunimin. “Nëse doni të uleni për Reformën Zgjedhore apo të Rregulloren e Kuvendit, jam dakord. Harrojeni ju dhe Rama që atë që smerrni dot me votë, ta merrni me tryezë! Qeveria është e vendosur për konsensus në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Nëse nuk doni, hartoni të gjitha amendamentet, çojini në Komisionin e Venecias dhe hajde ti miratojmë. Sa për Rregulloren e Kuvendit, nuk do të ndodhë kurrë që të eliminojmë parlamentarizmin. Ne nuk ju diktojmë asgjë, por kjo është oferta jonë”, deklaroi dje Kryeministri Berisha.

Ruçi: Berisha të japë dorëheqjen

Pavarësisht ofertës së kreut të ekzekutivit, opinioni negativ i dhënë nga Komisioni Evropian për Shqipërinë shihet nga përfaqësuesit e PS-së në Kuvend si arsyeja më e mirë pse Kryeministri Berisha duhet të japë dorëheqjen. Kreu i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi, theksoi se kryeministri Berisha duhet të mos e shohë tek opozita shkakun e situatës kritike në vend. “Ju, zoti Kryeministër, thatë se opozita është shqiptare dhe dëmin më të madh shqiptarëve mund tia bëjnë vetë shqiptarët. Edhe për këtë, ju duhet të jepni dorëheqjen”, iu drejtua Ruçi Kryeministrit Berisha. Sipas të majtëve, është turp që Shqipëria, edhe pse kishte aplikuar e para për statusin e vendit kandidat për në BE, nuk arriti as këtë vit të merrte përgjigje pozitive. “Dje erdhi përgjigjja. Mali i Zi kishte 7 kritere, i realizoi të shtata; Serbia kishte 1 dhe e fitoi këtë status. Si përherë me këtë qeveri tonën kërkohet përgjegjësia e opozitës”, u shpreh Ruçi, ndërsa theksoi se opozita do të kërkojë mbajtjen e një seance të posaçme në Kuvend, për raportin e progresit të dy ditëve më parë nga Komisioni Evropian.

Replikat e batutat e zhvilluara dje në Kuvend për refuzimin e statusit nga KE

Berisha-Tahirit: Ta bëj fytyrën më të zezë se këpuca

Jozefina Topalli

Në fillim të nisjes së diskutimeve për ligjin për Administratën Publike, një ligj ky që kërkon 84 vota, Kryeparlamentarja Topalli u ndal mbi takimin e paradites së djeshme me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. “Njoftova dhe sigurova ambasadorin Sequi se ligjet që kërkojnë 84 vota, një kusht ky i kërkuar me forcë nga BE, do të jenë pjesë e pandashme e axhendës parlamentare për çdo seancë plenare”, tha Topalli.

Majlinda Bregu

“Të gjithë ne qytetarët shqiptarë, disa prej nesh duke qenë edhe pjesë e politikës në këtë vend, u bëmë padashur shikues të telenovelës së titulluar politika e re, ose siç quhet në këto seritë e reja kursi i ri, një telenovelë fiks e atij lloji, ku mungon çfarëdo lloj morali, këtë rast politik, ku intriga dhe mashtrimi janë qëllimi kryesor. Dhe zgjatja e pakuptimtë e serialit bëhet vetëm që njerëzit të humbin kohën e dalldisin mendjen me flluskat e sapunit. Këtë telenovelë politike të Ramës, po e shikojmë e komentojmë që prej 2009-s e deri sot. E vetmja punë që ka bërë kjo opozitë me kursin e ri të Edi Ramës në këto 2 vjet, ka qenë të prishë punë. I vetmi qëllim i shprehur qartazi në sjelljen e saj ka qenë bojkoti, djegia e mundësive të vendit në rrugën drejt integrimit. Dhe kryetari i tyre mburret me këtë!” tha dje ministrja e Integrimit.

Ermelinda Meksi

Deputetja e PS-së, njëkohësisht dhe kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit, Ermelinda Meksi, gjatë fjalës së saj në Kuvend, theksoi dje se refuzimi i statusit sjell pasoja për vendin. “Refuzimi i statusit ishte i pritshëm dhe fatkeqësisht i merituar për ne. Sepse në një kohë kur Serbia është në gjendje të bindë BE-në që do nisë dialogun me Kosovën, ne nuk jemi në gjendje të bindim për dialogun tonë brenda vetes”, tha Meksi.

“Nananana”-t e PS

Fjalimi i Kryeministrit Berisha në seancën e djeshme u shoqërua nga ndërhyrje të shumta nga ana e deputetëve socialistë. Çdo përfundim fjalie i Berishës shoqërohej nga një rimë e socialistëve “nananananana”, duke vënë në lojë kreun e mazhorancës teksa ai fliste për arritjet dhe zhvillimin e Shqipërisë gjatë qeverisjes së tij. Ndërsa herë të tjera shoqërohej me një “Bravo ju qoftë për arritjet!”; “Ju lumtë!”.

Tahiri nga vendi

Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, shoqëronte fjalimin e Berishës me tundje koke dhe me pyetje nga vendi, duke i thënë “Çi ke këto që thua? A je në terezi? Fol për refuzimin e statusit dhe mos trego pallavra!”, etj.

Berisha-Tahirit

“Mos më tund kokën mua. Ta bëj fytyrën më të zezë se këpuca, more vesh apo jo?”

Tahiri-Berishës

“Je në terezi ti apo jo? Provoje njëherë.”

Berisha-Tahirit

“Të njoh më mirë se çe njeh ti veten. Mbylle gojën dhe rri rehat aty!”

Berisha për opozitën

“Unike në historinë e Evropës që një opozitë nga mëngjesi deri në darkë lufton kundër vizave si përpjekja më diabolike që u bë, për të justifikuar turpin e tyre kur vetë lëvizin me pasaporta diplomatike”, tha dje Berisha duke shtuar se “2013-ta vjen shumë shpejt dhe ne do tju japin 313 mijë vota më pak. Vazhdoni bërtisni, rroftë kryetari!”.

Gramoz Ruçi

“Zoti Kryeministër në ikje dhe ju zonja ministre e Integrimit duhet të jepni llogari.

E para, që keni dëmtuar në sytë e opinionit ndërkombëtar kredibilitetin e vendit. Shqiptarët nuk do tua falin kurrë, do duhet kohë për ta riparuar. E dyta, keni humbur interesat ekonomike të shqiptarëve, pas refuzimit ka një faturë financiare si zhvillimi rajonal, burimet njerëzore dhe bujqësia. Të gjitha këto ne i humbëm. Një vend fqinj si Maqedonia ka fituar 64 mln euro, pasi mori statusin, ndërkohë që shqiptarët u ndëshkuan.”

Interpelanca në Kuvend

Olldashi-Braçe, debate për "Rrugën e Kombit"

Edhe pse kanë kaluar 2 vjet nga përfundimi i saj, rruga Durrës-Kukës ka qenë sërish temë debati gjatë interpelancës së djeshme në Kuvendin e Shqipërisë që deputeti socialist, Erjon Braçe kishte kërkuar me ministrin e Transportit, Sokol Olldashi. Duke hedhur dyshimet të forta për koston reale të kësaj rruge, e veçanërisht për segmentin Rrëshen-Kalimash, Braçe deklaroi se vlera e kësaj rruge është rritur nga viti në vit.

Nga ana e tij ministri Olldashi, duke iu përgjigjur interesimit të deputetit socialist, sqaroi se “rruga gjithsej ka kushtuar 826.2 milionë euro, ndërsa vetëm tuneli i Kalimashit, rreth 5.6 km i gjatë ka kushtuar 250 milionë euro”. Olldashi hodhi poshtë akuzat e opozitës se është rritur kostoja e rrugës. Sipas tij, vlera paraprake prej 418 milionë eurosh që kjo rrugë parashikohej të kushtonte ishte një vlerë orientuese, që do të thotë se qeveria shqiptare synon që kjo rrugë të kushtojë 418 milionë euro. “Por, - tha Olldashi, - gjatë zbatimit të projektit në terren për shkak të strukturës gjeologjike apo terrenit që përshkon rruga, kostoja është rritur. Ishte projektuar të shërbente për një trafik mesatar ditor rreth 1500 makina, por ajo i shërbeu gjatë këtij viti një trafiku prej 12 mijë makinash në ditë gjatë këtij sezoni veror".

Refuzimi i statusit, reagon PBDNJ

Dule: Vendi në zgjedhje të parakohshme

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, është shprehur kundër politikës që po ndiqet aktualisht nga opozita, pjesë e së cilës është dhe partia që ai drejton. Dule u shpreh kundër paktit me 10 pika të Ramës për integrimin e vendit. Sipas Dules, kjo nuk mund të arrihet pa u larguar Kryeministri Berisha. “Në raportet e sotme, klasa politike smund ti japë vendit ritmin dhe dinamikën që kërkojnë reformat për evropianizimin e tij”, tha dje Vangjel Dule. Partia e Bashkimit të të Drejtave Njeriut ka ngarkuar me përgjegjësi qeverinë për refuzimin e statusit të vendit kandidat nga ana e Komisionit Evropian. Kryetari i kësaj partie, Vangjel Dule, e cilësoi të perënduar ëndrrën e shqiptarëve për tu integruar në BE, për aq kohë sa vendi do të udhëhiqet nga Berisha. Në deklaratën e djeshme të tij, kreu i PBDNJ-së vuri theksin në nevojën urgjente të zgjedhjeve të parakohshme. “Për ne nuk mund të ketë zgjidhje tjetër veçse ajo e një reforme të shpejtë zgjedhore, dhe vetëm zgjedhore. Dhe zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme brenda pranverës së vitit të ardhshëm, me qëllim që nga pozita të reja vendi të shkojë në Bruksel për të garantuar vitin e ardhshëm atë që në mënyrë kaq të pamerituar ua privoi shqiptarëve qeveria”, u shpreh kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›