E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto në Vjenë, para OSBE: Do realizojmë reformën zgjedhore

VJENE- Ministri i Jashtëm shqiptar Edmond Haxhinasto i deklaron Këshillit të Përhershëm të OSBE-së se se qeveria shqiptare ka prioritet reformën zgjedhore duke përmbushur rekomandimet e OSBE/ODHIR dhe ekspertizën e Komisionit të Venecias.

“Qeveria e Shqipërisë synon të kryejë një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, që do të përmbushë rekomandimet e ODIHR të 2009 dhe 2011, përfshirë këtu edhe ekspertizën e Komisionit të Venecias”- deklaroi sot Haxhinasto në mbledhjen plenare te keshillit te perhershem te OSBE.

Sipas shefit të diplomacisë, kjo reformë, përbën edhe një nga prioritetet kyçe në bllokun e detyrimeve për t’u afruar më tej në BE.

Gjatë mbledhjes Haxhinasto bëri një pasqyrim të plotë të progresit dhe reformave që ka ndërmarrë Shqipëria, si dhe arritjeve të saj në agjendën e politikës së jashtme.

Ai vlerësoi se “pas pavarësisë së Kosovës, është kthyer një faqe e re në Ballkanin Perëndimor” dhe ka shtuar se “sot atje ekziston mundësi për serbët dhe shqiptarët e Kosovës, që ta lënë prapa të kaluarën”.

Sipas tij, kjo nuk është e lehtë, “por nuk është e pamundshme, nëse të gjitha komunitetet e pranojnë vizionin e së ardhmes së përbashkët në Bashkimin Evropian, e jo atë të ndarjeve të së kaluarës”.

Haxhinasto shprehu gadishmërinë e Shqipërisë për të rritur kontributin, duke ofruar eksperiencën e saj për partnerët e Mesdheut.

Axhenda e ministrit të Jashtëm ne Vjenë vijoi me takimin me Kryetarin e Kёshillit tё Pёrhershёm tё OSBE-sё, Ambasadorin Renatas Norkus. Dy bashkëbiseduesit diskutuan pёr gjendjen politike nё Shqipёri dhe publikimin e raportit tё progresit tё Komisionit Evropian, ku Haxhinasto shprehu angazhimin e qeverisё sё Shqipёrisё pёr tё plotёsuar prioritetet e pёrcaktuara nga raporti i progresit, nё veçanti refomёn elektorale.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›