E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta ndërpret grevën: Nuk do të ndalemi

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mori fjalën dje në Kuvend ku në mënyrë të papritur, në fund të një fjalimi të mbushur me akuza, ai shpalli tërheqjen nga greva e urisë. Sipas kreut të LSI-së, tërheqja nga greva nuk ëhstë tërheqja nga qëllimi i tyre, por do të vazhdohet me metoda të tjera, të cilat Meta nuk i përmendi. Ai tha se do drejtojë qytetarët drejt demokracisë, por pa përmendur rrugët që do të ndiqen apo në rast se do të ketë protesta në rrugë ose jo. “Unë nuk jam as Sali dhe as Edvin, por jam Ilir, jam shqiptar. Do të drejtoj shqiptarët drejt demokracisë, ndërsa tani do të dal jashtë te njerëzit, sepse po më presin”, - tha Meta, duke nënkuptuar qartë daljen nga greva e urisë. Më pas ai doli nga Kuvendi së bashku me deputetët e tjerë të LSI-së dhe me të PDK-së, ku u bashkua me protestuesit përpara Kuvendit. Përpara, në fjalën e tij në Kuvend, Meta lëshoi akuza të ashpra ndaj partive të mëdha. “Dua t’ju siguroj se ky kod që po miratoni, është një përgjegjësi shumë e madhe. Ju mund të nxirrni dhe deklarata të OSBE-së pa emër, por ky është një kod që do t’ju ngarkojë me përgjegjësi para shqiptarëve. Shumë i dyshimtë është ky nxitim, për këtë kod që është akti më i rëndësishëm i Parlamentit, i cili do të ketë efekt edhe për katër vitet e ardhshme. Kush i pengoi bashkëkryetarët e PD-së dhe PS-së që për një vit nga mbarimi i zgjedhjeve lokale deri në samitin e Bukureshtit të mos bënin reformën zgjedhore, siç na e kërkuan dhe ndërkombëtarët”, - tha në fjalën e tij, Ilir Meta. Ai kundërshtoi bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm, duke thënë se “vendimet e ODIHR-it nuk janë pranuar, pasi ndërkombëtarët kërkuar përfaqësim dhe jo përjashtim të partive”, - përmendi Meta, duke thënë theksin shpesh se “Kodi nuk do të kalojë”.

Islami: Kodi është kundër partive joreale

Sekretari për çështjet zgjedhore dhe njëkohësisht deputeti i PS-së, Kastriot Islami, mbrojti Kodi e ri Elektoral të cilin e cilësoi si kodin më të mirë që ka pasur vendi. Sipas Islamit, ky kod ka qenë transparent dhe do të bëjë të mundur që në Kuvend të ketë përfaqësues realë. “Procesi ka qenë krejtësisht transparent në median elektronike dhe të shkruar, është diskutuar gjerësisht reforma zgjedhore. Kurrë më parë nuk është diskutuar më shumë për reformën zgjedhore në median e shkruar dhe atë elektronike. Për herë të parë ky proces është kryer nga monitorimi ndërkombëtar si dhe është mbikëqyrur nga ODIHR-i. Ky sistem nuk është pro partive të mëdha, as partive të vogla, por është kundër partive joreale. Ky sistem nuk krijon sistem politik me dy parti, ai krijon mazhorancë të qëndrueshme, ruan cilësitë dhe kapacitetet e vërteta, eviton ndarjen politike jug-veri”, - tha Islami. Ai shtoi se seanca duhet të ishte zhvilluar ndryshe, ku duhej të diskutohej në lidhje me detajet e zbatimit sa më korrekt të kij kodi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›