Rama: S’do t’i kundërvihemi mllefit me mllef
Gjatë turit të takimeve me vullnetarë në qarkun e Beratit, Edi Rama dhe deputetët e këtij qarku që e shoqërojnë kanë zhvilluar takime në Poliçan e Kuçovë. Në këto takime kreu socialist ka kërkuar bashkimin e qytetarëve kundër politikës së vjetër dhe hedhjes baltë në politikë. Sipas tij, “politika e re nuk është një skenë ku një grusht burrash shahen e kacafyten dhe ku fiton ai që bërtet e shan më shumë, por një hapësirë ku njerëzit mund të zgjidhin së bashku problemet bashkëjetesës së tyre në këtë vend, duke përmirësuar jetën e secilit”. “Na takon neve, së bashku, që me fuqinë e ndryshimit ta krijojmë këtë hapësirë, duke mbjellë në sa më shumë zemra farën e besimit se shpresat tona s’janë të pamundura, se idealet e idetë e reja për Shqipërinë nuk janë as të humbura e as të parealizueshme, se një bashkim i ri qytetarësh për të mirën e të gjithëve e të secilit s’është utopi, por mision qytetar i cilitdo. Fushata elektorale po afron dhe të gjithë, si gjithnjë prej 18 vjetësh, kanë nisur të bëjnë premtime për të marrë votat që pastaj, me votat që marrin, të bëjnë si gjithnjë çdo gjë tjetër përveç mbajtjes së premtimeve”, tha Rama. Kreu socialist tha se socialistët do ta shkëpusin vendin nga teknologjia e baltës që ka mbizotëruar në 18 vjet. Duke folur për keqqeverisjen e vendit, por dhe politikën e vjetër sipas tij, Rama tha se “përballë nesh është Sali Berisha dhe jo vetëm ai, por e gjithë politika e vjetër e industrisë së akuzave, shpifjeve, fyerjeve, djathtas e majtas, që në javët e muajt në vijim do të punojë në ethe të papara, si asnjëherë më parë, për të na përbaltur, shkurajuar, mjegulluar arsyen e rrëzuar moralin”. a.l