Berisha: Me Klinton nuk diskutova për presidentin e ri

Sali Berisha
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, në purfundim të vizitës në Uashington, ka deklaruar se ndryshimi apo modifikimi i sistemit zgjedhor është në dorë të opozitës. Nga ana tjetër, në intervistën dhënë Zërit të Amerikës, Berisha u shpreh se sistemi aktual zgjedhor ka përmirësuar përfaqësimin e zgjedhësve në parlament.
Sa i takon zgjedhjes së Presidentit të ri, Berisha ka theksuar se mbetet i hapur të diskutojë me opozitën dhe nga ana tjetër bëri me dije se kjo çështje nuk është diskutuar gjatë takimit me Hillari Klinton. Nga ajo që tha gjatë intervistës u kuptua qartë se ai nuk ka hequr dorë nga ideja që në atë post të zgjidhet një përfaqësues i PD-së.
Intervista:
Zoti Kryeministër, ku u përqendrua takimi me Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton, cilat çështje u diskutuan në të?
Takimi me Sekretaren e Shtetit ishte një takim i shkëlqyer dhe mund të them se janë shumë të pakta çështjet për të cilat nuk u diskutua në frymën më të hapur dhe më miqësore për to. Ajo çka spikati dhe njëherë në këtë takim, ishte se Shqipëria dhe shqiptarët kanë fat që kanë një mikeshë të shquar si Sekretarja Clinton dhe qeveria e SHBA të cilët kanë vullnet dhe dëshirë të ndihmojnë Shqipërinë në të gjitha aspektet dhe padyshim kanë vlerësimin më pozitiv për shqiptarët në tërësi, respektin për përpjekjet e tyre, vlerësimin për bashkëpunimin në ato fusha ku ne bashkëpunojmë. Por ajo që unë dua të informoj publikun nëpërmjet valëve të Zërit të Amerikës ishte gadishmëria, dëshira për të na ndihmuar në të gjitha fushat në mënyrë që zhvillimi i vendit të shpejtohet, integrimi i vendit në BE të shpejtohet; dëshira dhe vendosmëria për të bashkëpunuar me ne në rajon për konsolidimin e mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit; vlerësimi për bashkëpunimin që kemi në Afganistan. Sekretarja Clinton më shprehu mua ngushëllimet për humbjen e jetës së kapiten Fehti Voglit dhe foli me fjalët më vlerësuese , vlerësimet më të larta, për rolin e ushtarakëve tanë në zona të ndryshme të Afganistanit.
Zoti Kryeministër, kjo mbështetje që merrni ju nga SHBA, siç është treguar edhe në të kaluarën, kam parasysh anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, e bën edhe më të rëndësishme përgjegjësinë që duhet të ketë qeveria shqiptare dhe forcat politike në Shqipëri për të ecur përpara me reformat, pasi mbështetja prej këtej nuk i ka munguar Shqipërisë. Në këtë kuadër, një prej shqetësimeve që ka ngritur qeveria amerikane është çështja e sistemit të drejtësisë. Siç është shprehur një zyrtar i lartë amerikan, ambasadori amerikan në Shqipëri: sistemi i drejtësisë në Shqipëri nuk funksionon dhe i mungon integriteti. Si ju përgjigjeni ju këtyre shqetësimeve të palës amerikane për sistemin e drejtesisë në Shqipëri?
Së pari jam plotësisht dakord me ju, që qeveria e Shteteve të Bashkuara dëshiron të ndihmojë Shqipërinë, por kjo është një përgjegjësi në radhë të parë për qeverinë shqiptare, por edhe për të gjitha forcat politike, që të intensifikojnë përpjekjet për konsolidimin e mëtejshëm të shtetit ligjor, konsolidimin e mëtejshëm të pavarësisë së gjyqësorit, konsolidimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit; një punë shumë serioze për të plotësuar kriteret që kërkohen nga Bashkimi Europian për statusin. SHBA janë të interesuara që ti shohin shqiptarët sa më shpejtë në BE, por SHBA nuk mund të kenë asnjë lloj lëkundjeje në kërkesat që partnerët e tyre europianë paraqesin ndaj Shqipërisë për reformat, kriteret, praktikat që duhet ndjekur. Në të gjitha çështjet e diskutuara Sekretarja e Shtetit shprehej e gatshme, e vendosur për të ndihmuar Shqipërinë, për luftën kundër korrupsionit, pasi u diskutua për korrupsionin, e informova për çfarë është arritur. Ajo shprehej shumë e gatshme që të ndërmarrim hapa të tjerë të rëndësishëm. Po kështu për reformën në drejtësi, sekretarja e Shtetit, dua ta theksoj, kërkoi heqjen e imuniteteve, sepse ky është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë, nuk është interesi më i mirë i politikanëve shqiptarë, por është i qytetarëve shqiptarë.
Të ndalemi pak më tej tek çështja e korrupsionit. Kur erdhët në pushtet në vitin 2005, ishte mendimi i përgjithshëm se Partia Demokratike erdhi në pushtet në emër të luftës kundër korrupsionit, por sot pas kaq vitesh, duket se Shqipëria ka bërë hapa pas, të paktën treguesit e organizatave ndërkombëtare tregojnë një lloj rrëshqitjeje… A mendoni se Shqipëria është duke e humbur betejën me luftën kundër korrupsionit?
Sali Berisha: Unë mendoj se absolutisht jo! Duhet të theksoj se ne kemi marrëdhënie shumë të mira me Transparency International, dhe në vlerësimin e saj të fundit Transparency thotë se, kjo nuk do të thotë se domosdoshmërish Shqipëria ka bërë hapa mbrapa, por ne jemi të përqendruar, në të gjithë përpjekjet tona në luftën kundër tij. Unë mund tju jap si shembull dy reformat e fundit që bëmë ne në këtë drejtim; sot në kuadrin e nismës që mori presidenti Obama një vit më parë për partneritetin për qeveri të hapur, ne jemi nga të paktat qeveri që publikojmë ditën e nesërme on line të gjitha shpenzimet e thesarit të shtetit, dy javë më parë ne u bëmë vendi i parë me e-konçesione. Tani, unë nuk them se ska korrupsion, por ka një vullnet të hekurt për ta luftuar korrupsionin dhe ajo që unë nga kjo vizitë i jam shumë mirënjohës, sepse sekretarja e shtetit më siguroi mua dhe shqiptarët se qeveria e ShBA është e gatshme të na asistojë në luftën e mëtejshme kundër korrupsionit. Dua të them këtu se qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe USAID-i kanë dhenë një ndihmë thelbësore në Shqipëri në luftën kundër korrupsionit. Ne vërtetë morëm nga Millenium Challenge Account Cooperation dy herë nga 14-15 milion dollarë, por e vërteta është që ato projekte që u instaluan me këto shuma, qëndrojnë në themel të faktit që ne si qeveri shqiptare në 6 vjet kemi mbledhur 7.2 miliardë dollarë më shumë sesa qeveria e mëparshme në po të njëjtën periudhë, dhe që bëri Shqipërinë të kalojë linjën mediane, të dalë mbi linjën mediane për sa i përket korrupsionit, por rritja e të ardhurave [për frymë] e bëri [Shqipërinë] të pazgjidhshme për [programin tjetër të Millenium Challenge Corporation] kompakun, pra çfarë dua të them: lufta kundër korrupsionit është një betejë e vazhdueshme, kurrë nuk mund të thuash se e çrrënjos dot, por ajo që është më e rëndësishme është që në mënyrën më të fuqishme të vazhdosh betejën kundër tij.
A priten të shihen rezultate në këtë luftë, pasi është krijuar imazhi tjetër, ai i pandëshkueshmërisë në Shqipëri?
Kjo ka një relativitet. Në Shqipëri mendoj, në dijeninë time, janë ndëshkuar më shumë se në çdo vend tjetër zyrtarë për korrupsion, janë ndëshkuar me qindra çdo vit, dhe unë mund të them se kjo është një praktikë e mirë e organeve të drejtësisë shqiptare. A ka patur ndëshkime të zyrtarëve më të lartë..? Nuk ka patur ndëshkime të zyrtarëve më të lartë, por duhet të them një gjë, barazia para ligjit duhet të jetë qëllim themelor dhe parim themelor, kurse targetimi për shkak të postit nuk justifikohet. Çfarë duhet të bëjmë ne sot? Duhet të synojmë barazinë para ligjit. Dje unë takova kryetaren e Komisionit të Jashtëm për Europën në Senatin amerikan dhe po diskutonim për këto probleme. Në SHBA nuk ka imunitet për korrupsionin dhe ne këtë model duam ta instalojmë sa më parë në Shqipëri, pra unë e quaj një betejë që vazhdon dhe një betejë e cila do të fitohet në mënyrë absolute. Natyrisht nuk mund të çrrënjoset ndonjëherë korrupsioni, duhet gjithnjë luftuar.