Paratë merren, shërbim nuk ofrohet

Bashkia Shkodër
Anëtarët e majtë në Këshillin Bashkiak të Shkodrës kanë kërkuar që të ndërpritet marrja e tarifës së pastrimit për familjet shkodrane pasi mbeturinat nuk po dërgohen në Landfilldin e Bushatit. Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak të Shkodrës, kryetari i PS, rrethit Shkodër, Genc Uruçi ka kërkuar që qytetarëve shkodranë të mos u merren paratë çdo muaj për një shërbim që nuk kryhet.
U bënë disa muaj që tarifa e shtuar e pastrimit u vilet qytetarëve bashkë me faturën e ujit të pijshëm, por transportimi e përpunimi i mbeturinave urbane nuk realizohet. Prej disa muajsh u merren paratë familjeve shkodrane në shkelje të plotë. Kërkojmë nga Bashkia Shkodër që deri në zgjidhjen e problemit të transportimit e përpunimit të mbeturinave, të ndërpritet vjelja e tarifës së shtuar, ndërsa paratë që u janë marrë deri tani tu kthehen qytetarëve.
Lidhur me këtë janë prononcuar dhe këshilltarë të djathtë ku disa janë shprehur kundër këtij propozimi, ndërsa ka patur prej atyre që kanë kërkuar ti jepet një zgjidhje këtij problemi. Shkodra është në të paktët që ka fatin të ketë një Landfilld ku mund të dërgojë mbeturinat urbane por kjo nuk ndodh. Nënkryetari i bashkisë Shkodër, Ahmet Omi ka theksuar se lidhur me këtë po bëhen negociata dhe shpresohet të gjendet zgjidhja, ndërsa ka sqaruar se shtetas e tarifës për familjet shkodrane është bërë 1000 lekë për depozitimin dhe 500 lekë për transportin pasi është një distance 15 km. Depozitimi i mbetjeve në landfildin e Bushatit herë pas here është kthyer në debate të ashpra në mes këshilltareve ndërsa për këtë çështje është vënë në dijen edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, si dhe ministrat e linjave. /A.Dushi/