E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Durrës: Kompromiset PS-PD nuk i kanë shërbyer reformave

Kreu i LSI-së, Ilir Meta ka filluar takimet me përkrahësit e partisë nëpër rrethe. Këtë herë ai ka qenë në Golem ku ka garantuar një qeverisje që nuk do të jetë më peng i monopoleve, sikurse ka qenë deri tani. 

GOLEM - Kreu i LSI-së, Ilir Meta vazhdon takimet me bazen. Së fundi ai ishte në Golem ku akuzoi dy forcat e mëdha politike se kompromiset mes tyre nuk i kanë shërbyer reformave në vend por vetëm interesave të tyre të ngushta. Meta tha se LSI garanton një qeverisje që nuk do jetë më peng i monopoleve.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse z.Meta pasi ka falënderuar strukturat e LSI-së për punën e bërë, kërkoi me shumë angazhim për t'i paraprirë fushatës elektorale të 2009-ës. Duke u ndalur në zhvillimet e fundit të politikës, Meta nënvizoi se,-situata në vend është duke u bërë gjithnjë dhe më kaotike. “Ju e shikoni se ai angazhim i madh i krerëve të PS-së dhe PD-së për të bërë reforma që do çudisnin botën është tamam si ato fluskat e sapunit, sepse nuk ka pasur asnjë angazhim të vërtetë parimor midis tyre për të bërë reforma, të cilat do i shërbenin vendit. Nuk ka pasur asnjë konsensus të ndërtuar prej tyre, që ka vënë në plan të parë interesat e vendit, por ka pasur vetëm kompromise të paprincipta për interesa krejtësisht të ngushta", tha ai.

Gjithashtu Meta shprehu keqardhje edhe për deklaratën më të fundit të deputetëve të PS-së, për një bojkotim të Parlamentit në rast se do të vonohet Kodi Zgjedhor.
"LSI-ja do të garantojë një qeverisje që nuk do të jetë më peng i monopoleve, sikurse ka qenë deri tani, një qeverisje që t'i shërbejë atyre që e votojnë dhe e besojnë, që t'i shërbejë qytetarëve në mënyrë të ndershme dhe transparente, një qeverisje për njerëzit, dhe në radhë të parë për ata që kanë më shumë probleme sociale dhe që kërkojnë mbështetjen e LSI-së përmes politikave të saj" u shpreh Meta.

(O.Zh/ BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›