E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Durrës: Votoni Xhaferrin

Ilir Meta kërkoi dje votat e mbështetësve të tij në Bashkinë e Durrësit, për kandidatin Ferdinand Xhaferri. Gjatë një takimi të djeshëm në këtë qytet, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim theksoi se Durrësi do të fillojë me një ndryshim të vërtetë, fitorja në Bashkinë e Durrësit është e papërmbajtshme sepse ka potenciale. Ndërkaq, Meta nënvizoi faktin se LSI vjen me një vizion të ri, kjo në shërbim të qytetarit. “Ne nuk shajmë njeri, ne paraqesim alternativën tonë më të mirë që e bashkon Shqipërinë me Europën. Jo me shumë se një vit, kryebashkiaku u lodh duke folur për liberalizimin e vizave, ndërsa ne e bëmë arritje dhe garantuam lëvizjen e lirë pa diskriminuar asnjëri, ndaj jam i bindur se në datën 8 maj, duke votuar për “Aleancën për qytetarin”, duke votuar për Xhaferrin dhe për LSI-në, ju votoni për një projekt që vë të parin qytetin e Durrësit, ju votoni për një projekt, i cili merret seriozisht me problemin e punësimit” tha Meta. Sakaq, po dje ai prezantoi kandidatin e mazhorancës për njësinë nr.8, Arben Tafaj. “Unë besoj se këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme sepse duke qenë zgjedhje që do të kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve të qytetarit të komunitetit në radhë të parë, këto zgjedhje do të ndihmojnë për të përmirësuar më shumë jetën e komuniteteve”, u shpreh Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›