Rama: Modeli i Berishës, pri shirita e shkatërro
Ndërtimet përgjatë autostradës Tiranë-Durrës dhe ato në rrethinat e kryeqytetit, i kanë shërbyer si shembull kreut të socialistëve Edi Rama, për të krahasuar modelin e tij me atë të Kryeministrit Sali Berisha. Lideri i opozitës, e njëkohësisht kandidati i Partisë Socialiste për kreun e Bashkisë së Tiranës, prezantoi dje kandidaturat e opozitës për minibashkitë numër 5 (Jeta Seitaj) dhe 8 (Sadi Vorbsi). Duke prezantuar këtë të fundit, Rama ka shpjeguar detyrimet që qytetarët paguajnë për ndërtimin e Tiranës dhe taksat dhe tatimet që i mbahen nga qeveria. “Të gjithë bashkë do ta çojmë përpara këtë punë. 1 milion lekë i paguan Bashkisë një biznes në vit, duke shtuar edhe TVSH-të e vendosura nga qeveria. Më 8 maj t’i japim drejtim kësaj pune. Do të ketë vetëm dy taksa, të gjitha të tjerat do i heqim”, u shpreh Rama. Në vlerësimin e tij, qytetarët i kanë shprehur kryetarit të Bashkisë, pakënaqësi për papunësinë, si dhe çmimet e larta të produkteve ushqimore. “Sa herë ju thonë ju rrisim pensionet e rrogat, fluturon inflacioni dhe ju ikin lekët nga xhepi”, tha Rama. Pasdite, kreu i Bashkisë së Tiranës mori pjesë në aktivitetin e prezantimit të kandidates për minibashkinë nr.5 Jeta Seitaj. Rama krahasoi modelin e tij të zhvillimit me atë të pushtetit në fuqi, ndërsa premtoi se në mandatin e ardhshëm do të jetë në gjendje të rrisë ndjeshëm vlerën e banesave, të bizneseve dhe cilësinë e jetës së kryeqytetasve. “Zhvillimi ynë është një zhvillim me koncept urbanistik, social, ekonomik dhe që rrit cilësinë e jetës dhe vlerën materiale të qytetit. Kjo do të vlejë për periferinë dhe qendrën, për të gjithë Tiranën”, deklaroi Rama. Ai u ndal jo pak tek ai që e cilësoi vizion shkatërrues të mazhorancës për kryeqytetin.
“Shikoni se çfarë ka ndodhur në vijën bregdetare, nga Plepat e deri në Kavajë. Një qytet i ri pallatesh është ndërtuar, një kompleks që nuk ofron asnjë mundësi për një zhvillim të qëndrueshëm, për të ardhmen dhe që ka shkatërruar tërësisht potencialin që ofronte kjo vijë bregdetare turistike. Vizioni ynë dhe vizioni i Berishës ndahet te lumi i Lanës”, u shpreh Rama. Në analizën e tij, kreu socialist konstatoi se modeli i Berishës është ai i prerjes së pemëve dhe ndërtimeve kaotike, modeli i tij është gjej shesh e ndërto, pri shirita e shkatërro. Sot, këmbënguli Rama, hapësira e Lanës është vendosur në funksion të cilësisë së jetës. “Pyesni banorët që kanë shtëpi dhe dyqane në dy anët e lumit, se sa vlenin ato më parë dhe sa vlejnë tani. Pyesni edhe qytetarët e Tiranës, se sa vlente territori i qytetit me kioskat e ndyra në mesin e tij dhe se sa vlen sot”, theksoi Rama. Sakaq, kandidati për herë të katërt për Bashkinë e Tiranës tha se autostrada Tiranës-Durrës është një shëmbëlltyrë e këtij zhvillimi të mbrapshtë që koncepton Saliu. “Me qindra ndërtime pa vizion, të cilat nuk sjellin asnjë zhvillim të qëndrueshëm për të ardhmen. Kjo duhet të ishte zona që do të dyfishonte GDP-në e Shqipërisë, por në fakt është shndërruar në një territor ku secili punon për vete dhe Zoti për të gjithë. Për më tepër, është shkatërruar çdo mundësi për të shndërruar këtë territor të gjerë në një tokë konkurruese bujqësore”, nënvizoi Rama. Përkundër modelit të Berishës socialistët ofrojnë një model zhvillimi që sipas tyre ka si shembull shëtitoren dhe parkun një kilometër të gjatë, i ndërtuar së fundi te Fusha e Aviacionit. Shumë shpejt, edhe sheshi ‘Skëndërbej’ do t’i japë një vlerë të re qytetit, duke u shndërruar në një prej qendrave më spektakolare të të gjithë Ballkanit. Tek ky shesh do të shihet projekti ynë i integruar për zhvillimin urban, ekonomik dhe social. Vizioni ynë është për një qytet që ofron larmi mundësish për të gjitha moshat, për të gjithë banorët, një fuqi magnetike dhe tërheqëse, për një të ardhme që do të krijojë shumë më tepër investime, që do të sjellë një cikël të ri zhvillimi”, ngulmoi Rama. D.M.