E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Kavajë: Nxitja e prodhimit forcon ekonominë

Kreu i LSI, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me tregtarë të vegjël dhe të mesëm në tregun bujqësor të Kavajës. Në takim, Meta u shpreh se nxitja e prodhimit është e domosdoshme edhe për forcimin e ekonomisë sonë kombëtare, pasi në këtë mënyrë do të bien importet e jashtëzakonshme, të cilat e varfërojnë ekonominë tonë, e varfërojnë fshatin, qytetin dhe dobësojnë në përgjithësi mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.

"Ndaj dhe LSI ka politikat e saj shumë të qarta për nxitjen e prodhimit bujqësor në vend dhe atë ushqimor dhe për krijimin e një zinxhiri agraro-industrial, i cili do të bëjë të mundur përmbysjen e raporteve katastrofike sot që janë në dëm të prodhimit vendas", pohoi ai. Më tej, kreu i LSI ka vijuar takimet edhe me biznesmenë në tregun industrial të qytetit të Kavajës. Gjatë kësaj vizite, Meta është takuar me tregtarë të shumtë, të cilët shprehën shqetësimin për rënien deri në 50 për qind të shitjeve të mallrave të tyre krahasuar me një vit më parë. Tregtarë të shumtë i shprehën kreut LSI shqetësimin dhe pamundësinë për të shlyer edhe detyrimet e tyre tatimore tepër të larta. Meta deklaroi se "ajo që bie në sy gjatë gjithë këtyre takimeve dhe shkëmbimeve të mendimeve me tregtarë të ndryshëm është rënia e ndjeshme e xhirove sidomos në raport me një vit më parë, që shkon deri në 50 për qind sipas tyre". Sipas tij, rënia e fuqisë blerëse dhe e ekonomisë tregon se është një krizë e përgjithshme e cila ka prekur shumicën e popullsisë, sidomos atë me të ardhura më të pakta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›