E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Engel: Zgjedhjet, tregues stabiliteti

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka pritur dje kongresmenin amerikan, Eliot Engel. Gjatë bashkëbisedimit, kreu i shtetit shqiptar informoi kongresmenin amerikan në lidhje me ecurinë e reformave në vend, konkretisht mbi reformat kushtetuese, ato zgjedhore, në drejtësi, ekonomi, etj. Presidenti nënvizoi se këto reforma mbeten faktorë të rëndësishëm, jo vetëm në ecurinë pozitive të zhvillimeve në vend, por dhe në nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë. Duke u ndalur te zgjedhjet, Presidenti Topi theksoi se ecuria pozitive e situatës parazgjedhore në vend, përfundimi me sukses i pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti, si etapë e rëndësishme e reformës elektorale, si dhe realizimi i zgjedhjeve të drejta e të pakontestueshme parlamentare të 2009-ës për Shqipërinë, do të jenë tregues të qartë të stabilitetit të konsoliduar politik në vend. Më pas, Presidenti i shprehu kongresmenit amerikan mirënjohjen e tij dhe të shqiptarëve për mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë Shqipërisë për anëtarësimin me të drejta të plota në NATO, por edhe Kosovës për zgjidhjen e çështjes së saj. Sakaq, kongresmeni amerikan, pasi falënderoi për mikpritjen, vuri në dukje rolin moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, për ruajtjen dhe forcimin e paqes e qëndrueshmërisë afatgjatë në Ballkan. "Në një rajon, i cili pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të një shteti të ri shumetnik e demokratik që respekton të drejtat e të gjitha pakicave, është projektuar i tëri drejt integrimit euroatlantik", u shpreh Engel. Kongresmeni amerikan takoi dje edhe Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe përshëndeti deputetët me një fjalim në sallën e Kuvendit. Gjatë kësaj vizite Engel udhëtoi edhe në Jug të Shqipërisë, në qytetin e Sarandës. "Do të kthehem në shtëpi dhe do t‘u tregoj amerikanëve se sa e bukur është Saranda", u shpreh Engel.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›