E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha "hakmerret" për zgjedhjet e 26 majit

Kryeministri Sali Berisha shfrytëzon rastin të "hakmerret" ndaj raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996. Shefi i qeverisë shqiptare ka refuzuar takimin e prezantimit me kryesuesen e misionit të vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit. Britanikja Audry Glover rezulton të ketë qenë drejtuesve e ODIHR-it në kohën kur në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet e famshme të vitit 1996. Situata duket se ka hyrë në një ngërç. Në lëvizje janë vënë dhe përfaqësues të diplomacisë perëndimore këtu në Tiranë. Në zyrat e OSBE-së situatën po e ndjekin me një farë shqetësimi. Autoritetet shqiptare shpresojnë në një zgjidhje konsensuale, që mesa duket të përmbajë një tërheqje pa zhurmë të ambasadores Glover. Në situatën e krijuar është përfshirë edhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, i cili është përpjekur të negociojë personalisht. Burime diplomatike pranë Këshillit të Bashkimit Evropian rrëfyen dje për "Alsat" se autoritetet shqiptare e kanë befasuar Brukselin me sjelljen e tyre ndaj kreut të misionit vëzhgues të ODIHR-it, ambasadores britanike Audrey Glover, e cila mbërriti në Tiranë javën që kaloi. "Jemi të shqetësuar nga informacionet që kemi marrë për tentativat nga ana e qeverisë për zëvendësimin e një anëtari të zgjedhur nga ODIHR", deklaroi një zyrtar i lartë i BE-së. "Këto emërime bëhen gjithmonë pa lejen e vendit pritës dhe të asnjë organizate tjetër dhe BE e mbështet krejtësisht këtë parim", tërhoqi vëmendjen më tej ky zyrtar. Të njëjtat burime rrëfyen se ambasadoren Audrey Glover e kanë shmangur nga pritjet e kortezisë ku duhet të merrte pjesë me Kryeministrin Sali Berisha, ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, si edhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku në vend të saj ka marrë pjesë zëvendësshefi i këtij misioni. "Argumenti i vetëm i kundërshtisë që njihet deri më sot është pozicioni që ambasadorja Glover ka pasur në krye të ODIHR-it në vitin ‘96, kohë kur në Shqipëri janë mbajtur zgjedhje të kontestueshme. Ky argument jo vetëm që është i pakuptueshëm për BE-në, por edhe ndjell sinjale jo fort të mira për mbarëvajtjen e zgjedhjeve që po afrojnë", shtoi më tej zyrtari i BE-së. Sipas të njëjtave burime, sjellja e autoriteteve shqiptare ndaj kreut të misionit vëzhgues rrezikon që në nisje vetë raportin e këtij misioni. "Një raport me përmbajtje negative do të rrezikojë jo vetëm aplikimin e Shqipërisë për statusin kandidat, por edhe kandidaturën e vendit për kryesimin e OSBE-së në vitin 2012", rrëfeu zyrtari i BE-së. "Emërimi i ambasadores Glover është i pandryshueshëm edhe për faktin se pas një precedenti të tillë çdo vend tjetër me probleme do të kërkonte të zgjidhte vetë krerët e misioneve vëzhguese", shtoi zyrtari i Këshillit Evropian. "Tashmë sytë tanë janë të drejtuar mbi këtë çështje dhe do të vazhdojmë të ndjekim nga pranë zhvillimin e situatës. Nëse qëndrimi i autoriteteve shqiptare nuk ndryshon, atëherë do të ketë edhe veprime zyrtare nga ana e BE-së, si në rastin e ligjit të lustracionit", paralajmëroi zyrtari evropian. Audrey Glover është një avokate e të drejtave të njeriut dhe në vitet ‘94-‘97 ka drejtuar zyrën e ODIHR-it. Më parë ajo ka mbajtur detyrën e përfaqësueses britanike në Komisionin Evropian dhe Gjykatën e të Drejtave të Njeriut. Nga viti 1998 deri në vitin 2003 ajo ka drejtuar delegacionin britanik në Komisionin për të Drejtat e Njeriut në Kombet e Bashkuara. Glover ka drejtuar misionet e vëzhgimit të zgjedhjeve në Bjellorusi gjatë vitit 2004, në Kazakistan gjatë vitit 2005, në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë në vitin 2006 dhe në Ukrainë gjatë vitit 2007. Ajo ka punuar në Bagdad si këshilltare për të drejtat e njeriut pranë autoritetit të përkohshëm të Irakut dhe Ministrisë irakiane për të Drejtat e Njeriut në vitet 2004, 2005 dhe 2006.

Misioni vëzhgues raportoi probleme dhe dhunim të procesit elektoral

Raporti i "trishtë" për

zgjedhjet e 26 majit

Zgjedhjet parlamentare të 26 majit 1996 mbeten një element kyç në marrëdhëniet midis OSBE/ODIHR-it dhe politikës shqiptare. Qindra vëzhgues të huaj ishin në qendrat e votimit që nga ora 07:00 e mëngjesit, por u penguan, nuk u lanë të vëzhgonin dhe panorama e tyre nuk mund të ishte edhe aq e plotë, dhe jo vetëm për shkak të numrit të kufizuar të vëzhguesve krahasuar me numrin e qendrave të votimit. Në raport thuhej se shumica e kutive të votimit ishin të pambyllura. Shumë prej vëzhguesve vërejtën një prezencë të madhe të policisë brenda dhe jashtë qendrave të votimit, sidomos në Berat dhe Lushnjë, ku uniformat ishin shumë aktive dhe madje edhe gjatë numërimit të votave. Në disa qendra votimi, përfshi Tiranën, Beratin dhe Kukësin, vëzhguesit panë persona të paidentifikuar dhe civilë të armatosur, ndërsa banorët thanë se ishin të policisë sekrete (SHIK-ut). Në Kuçovë, shefi i qendrës së burgimit vizitoi të gjitha qendrat e votimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›