E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR: Do të kthejmë pronën te pronari

Laçi ishte qyteti i radhës në ndalesat e kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu. I shoqëruar nga anëtarë të tjerë të kryesisë së kësaj force, ai zhvilloi një takim me anëtarë dhe simpatizantë republikanë të këtij qyteti. Në fjalën e tij, kryetari Mediu u ndal te çështja e pronës, duke theksuar se Partia Republikane është partia e vetme, e cila, që në fillimet e saj, ka trajtuar këtë çështje dhe e ka parë zgjidhjen e saj, si jetike për zhvillimin ekonomik të vendit. "Prona private duhet zgjidhur në mënyrë urgjente, duke i kthyer pronarit të ligjshëm pronën që i takon dhe kjo duhet bërë në radhë të parë duke abroguar ligjin për tokat dhe fermat bujqësore, pasi janë mbi 100 mijë hektarë të cilat mund të shërbejnë si fonde për t‘ia kthyer pronarëve dhe për kompensimin fizik të tyre". Sipas tij, duhet bërë marrja e të gjitha pronave, të cilat janë jo efikase, mbahen pa të drejtë nga shteti. "Po ashtu duhet të përcaktohet qartë fondi për kompensimin e pronarëve. Nuk mund të kemi një ligj pa një faturë financiare. Kthimi dhe kompensimi i pronës private është një akt që duhet kryer sa më shpejt", theksoi Mediu. Duke analizuar punën katërvjeçare të mazhorancës aktuale, pjesë e së cilës është dhe Partia Republikane, Mediu theksoi se forca politike që ai drejton përfaqëson interesat e ish-pronarëve, intelektualëve, të rinjve, moshës së tretë dhe të gjithë shqiptarëve. "Ne të gjithë jemi tashmë pjesë e një të ardhmeje premtuese, me projekte të realizuara dhe reforma të suksesshme ku Partia Republikane dhe vizioni i saj, janë pjesë e këtij realiteti të prekshëm nga të gjithë. Ne jemi partnerë të qëllimeve të mëdha", u shpreh ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›