E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gafa e Kuvendit, PAD dhe PDK janë në opozitë

Rikonfigurimi i marrëveshjeve mes partive politike në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit ka sjellë debate në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Gjatë diskutimit të projekt-udhëzimit për caktimin e anëtarit të tretë dhe të katërt në grupet e numërimit të votave, anëtarët e KQZ-së kanë shkëmbyer replika mes tyre për shkak se disa parti që sot janë pozicionuar djathtas, figuronin në bazë të informacionit të Kuvendit si të majta. Ndërsa KQZ vijoi punën, duke miratuar një sërë udhëzimesh për procesin zgjedhor, njësitë vendore në vend nuk janë përgjigjur me të njëjtin ritëm. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, paralajmëroi se krerët e 135 njësive vendore do të përballen me padi penale nëse ata vijojnë të shkelin ligjin, duke mos sjellë në KQZ informacionin për listat paraprake të zgjedhësve. Sa i përket udhëzimit për anëtarin e tretë dhe të katërt të GNV-ve, përfaqësuesi ligjor i PS-së në komision, Genci Gjonçaj, kundërshtoi projekt-udhëzimin dhe kërkoi shtyrjen e shqyrtimit me pretendimin se PAD dhe PDK nuk mund të rreshtohen në bllokun e partive të pakicës parlamentare, pasi, sipas Gjonçaj, këto njihen si parti të aleancave qeverisëse dhe parlamentare. Në mbështetje të Gjonçajt u shpreh edhe zëvendëskryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi. "Përcaktimi i shumicës dhe pakicës parlamentare nuk duhet të mbështetet në zgjedhjet e 2005-ës, por në aleancat aktuale", deklaroi Subashi. Pas debatit dhe pushimit prej 15 minutash, me 6 vota pro dhe një kundër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi për shtyrjen e shqyrtimit të këtij projekt-udhëzimi deri në momentin e regjistrimit të koalicioneve zgjedhore në KQZ. KQZ, me udhëzim të veçantë cakton procedurën e shortit për anëtarin e tretë dhe të katërt të Grupeve të Numërimit të Votave për çdo ZAZ. Të drejtën për të përcaktuar këta anëtarë e kanë partitë e shumicës parlamentare dhe partitë e opozitës parlamentare të regjistruara në zgjedhjet për Kuvend, të datës 28 qershor 2009 dhe që kanë fituar jo më pak se dy mandate në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin e Shqipërisë. Ky udhëzim përcakton rregullat dhe procedurat që do të ndiqen për hedhjen e shortit. Nga ky short, neni 96 i Kodit Zgjedhor ka përjashtuar Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste, si parti të cilat kanë kryetarin dhe zëvendëskryetarin e KZAZ-së. Para nisjes së mbledhjes, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, bëri thirrje që njësitë vendore të sjellin informacionin e duhur në KQZ për listat paraprake. Sipas kryetarit të KQZ, Arben Ristani, nuk kanë depozituar në institucionin zgjedhor as listat paraprake, duke rrezikuar kështu tërë ecurinë e procesit. "Të dhënat që do të përmbanin numrin e zgjedhësve për qendrat e votimit, numrin e qendrave të votimit dhe numërtimin e tyre. Nga 383 njësi të qeverisjes vendore, 135 nuk i kanë prurë akoma këto të dhëna, duke shkelur ligjin dhe udhëzimin e KQZ. Në zbatim të ligjit do të thërras një mbledhje tjetër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të marrë masa administrative dhe për të parë mundësinë e një kallëzimi penal, sepse mund të ketë dhe elemente të shpërdorimit të detyrës", deklaroi kreu i KQZ-së, Arben Ristani.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›