Topi: Duhet të konsolidohet demokracia në Shqipëri
Bamir Topi, Presidenti i Shqipërisë, priti dje Drejtorin Ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (NAAC) Avni Mustafaj dhe Këshilltarin e Lartë, Dejvid Skoton. Kreu i shtetit vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera në të gjitha fushat mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit dhe partnerit strategjik më të rëndësishëm të vendit tonë. Topi shprehu mirënjohjen për ndihmesën e pandërprerë të diasporës shqiptare dhe çmoi bashkëpunimin e frytshëm me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Teksa bëri një panoramë të zhvillimeve në vend dhe duke u ndalur në situatën aktuale politike, vuri në dukje nevojën dhe rëndësinë e bashkëpunimit dhe kontributit të të gjitha forcave politike në vazhdimin e reformave jetike për vendin, sidomos të reformës në drejtësi apo zgjidhjen përfundimtare dhe të drejtë të çështjes së pronave. Presidenti theksoi se për të përmbushur standardet integruese dhe realizimin e aspiratës së mbarë popullit për t‘u bërë pjesë e familjes europiane, është shumë e rëndësishme qëndrueshmëria e institucioneve dhe konsolidimi i demokracisë shqiptare. Kryeministri Berisha priti po dje në një takim drejtorin ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, zotin Avni Mustafaj, i cili shoqërohej nga zoti David Scotton, këshilltar i Lartë i Këshillit.