E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta në Nju Jork, në sesionin e 64-t të Asamblesë së OKB-së

Meta do të jetë pjesë e delegacionit të kryesuar nga kryeministri Berisha. Ai do të zhvillojë një sërë takimesh me homologët nga vendet e BE-së, rajoni dhe nga mbarë bota. 

TIRANE- Zëvendëskryeministri njëkohësisht Ministër i Punëve të Jashtme Ilir Meta, do të niset sot për në Nju Jork, për të marrë pjesë në hapjen e punimeve të Sesionit të 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, zoti Meta është pjesë e delegacionit zyrtar shqiptarë të kryesuar nga Kryeministri, Sali Berisha.

Gjatë ditëve të qëndrimit në Nju Jork, z. Meta do të marrë pjesë në një sërë takimesh të rëndësishme shumëpalëshe si Forumi i Udhëheqësve për Ndryshimet Klimaterike, Takimi Vjetor i Udhëheqësve nga Ballkani, Takimi A5 në kuadrin e Kartës së Adriatikut, Takimi Vjetor i Ministrave të Jashtëm të vendeve të Organizatës së Konferencës Islamike, Takimi Vjetor i Aleancës së Civilizimeve, takimi i vendeve të Komunitetit të Demokracive, etj.

Gjithashtu, z. Meta do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me homologët nga vendet e BE-së, rajoni dhe nga mbarë bota.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›