Referendumi, shqiptarët do vendosin vetë për plehrat
Nishani cakton datën 22 dhjetor. Ky është referendumi i tretë në Shqipëri
Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar datën 22 dhjetor për tu zhvilluar referendumi kundër importimit të mbetjeve për qëllime riciklimi. Nëpërmjet këtij referendumi, iniciuar nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave, synohet shfuqizimi i nenit 22, pika 3, dhe nenit 49 të ligjit nr.10463, miratuar në Parlament vetëm me votat e maxhorancës, datë 22.09.2011 Për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Njoftimi për këtë vendim është bërë publik në faqen zyrtare të Presidencës, së bashku me relacioni përkatës. Në relacion, Zyra Juridike e Presidencës sqaron se bazuar në nenin 119, pika 2 e Kodit Zgjedhor të vitit 2003 nuk lejohet mbajtja e një Referendumi të përgjithshëm brenda periudhës 6 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit deri tre muaj pas mbledhjes së parë të Kuvendit të ri.
AKIP
Nisma për referendumin u ndërmor nga disa shoqata ambientaliste, të cilët mblodhën firmat e 50 mijë shtetasve. Sipas tyre, lejimi i këtyre importeve bie ndesh me strategjinë kombëtare për zhvillim të qëndrueshëm edhe për zhvillim të turizmit, shpallur si prioritet strategjik i Qeverise. Kjo Aleancë ka renditur një sëre arsyesh përse Importi i Mbetjeve është një akt i rrezikshëm, pavarësisht se Qeveria është shprehur se Shqipëria i ka të gjitha kapacitet kontrolluese në pikat hyrëse. Por AKIP mendon se në mungesë të kapaciteteve për trajtimin e mbetjeve, importi do ta përkeqësojë nivelin e papastërtisë në territorin shqiptar. Në vend të importit të mbetjeve shtesë, Shqipëria duhet të merret fillimisht me trajtimin e mbetjeve që ne vetë prodhojmë. Pas këtij vendimi të Presidentit, Nishani tashmë i takon popullit për të vendosur në lidhje me importin e plehrave në Shqipëri. Kjo nismë solli një sërë debatesh mes përfaqësuesish të Aleancës Kundër Importit të Plehrave dhe përfaqësuesve të qeverisë. Vendimi i Presidentit, vjen pas vendimit të marrë më parë nga Gjykata Kushtetuese.
Debati
Zanafilla e debatit për importin e plehrave nis që kur u bë publike nisma e qeverisë për hartimin e një ligji të plotë për manaxhimin e integruar të mbetjeve urbane. Ambientalistët kundërshtuan me force dy nene që lejonin importimin e tyre për qëllime riciklimi, duke argumentuar se Shqipëria nuk ka mundësitë për kontrollet e nevojshme dhe se vendi sipas tyre mund të rrezikojë të kthehet në një destinacion për mbetjet e rrezikshme. Por sipas qeverisë, ligji ishte hartuar në përputhje me standardet europiane dhe janë vetëm 25 lloje mbetjesh që lejohet të hyjnë për qëllime riciklimi.
Tre referendumet shqiptare
Është hera e tretë që në Shqipëri do të organizohet një referendum. Më parë ishte në mbajtur në 1994 për kushtetutën e vendit dhe në 1997 kur u votua për zgjedhjen ose të monarkisë si formë të regjimit në Shqipëri. Por për herë të parë ky referendum vjen si një kërkesë e shoqërisë dhe jo e politikës.
PS: Ligji për importin e plehrave do të abrogohet pasi të vijmë në pushtet
Partia Socialiste nëpërmjet deputetit Besnik Bare u shpreh se është kundër Ligjit për Importin e Mbeturinave, madje sipas tij, referendumi nuk do të jetë i nevojshëm pasi ligji do te abrogohet pas ardhjes së opozitës në pushtet. ”Në 2005, që në mandatin e parë, Sali Berisha premtoi zhvillim të qëndrueshëm në respekt të mjedisit, ndërkohë që të gjithë shqiptarët e shohin se si situata mjedisore është jashtë kontrollit dhe e përkeqësuar. Premtoi trajtimin e të gjitha ujërave të zeza në zonën bregdetare. Deri në fundin e vitit 2012 nuk kishte asnjë qytet bregdetar në gjendje të bënte trajtimin kimik dhe biokimik të ujërave. Premtoi rritjen e nivelit të zonave të mbrojtura, mbrojtjen e pyjeve nga prerjet pa asnjë kriter. Ndërkohë sot që po flasim Lura dhe mjaft zona të mbrojtura janë në gjendje dramatike. Pavarësisht, se sot u bë publik dekreti për zhvillimin e referendumit kundër importit të mbetjeve Partia Socialiste përsërit edhe njëherë zotimin e saj se në 100 ditët e para të qeverisjes tonë do të ndalojmë importin e plehrave dhe do të ngremë Inspektoratin Kombëtar të Pastrimit. Në 23 qershor ne do të marrim përgjegjësinë që ta pastrojmë Shqipërinë dhe përgjegjësinë për të mbrojtur mjedisin”, tha Bare.