Meta pakt me partinë “Toleranca e Re e Shqipërisë”
Lëvizja Socialiste për Integrim nënshkroi dje Marrëveshjen e Bashkëpunimit për koalicion në zgjedhjet e 28 qershorit, me partinë “Toleranca e Re e Shqipërisë”, që përfaqëson dhe mbron të drejtat e komuniteti rom dhe egjiptian në Shqipëri. Marrëveshja e nënshkruar nga Ilir Meta dhe Avdi Keçi, synon respektimin e këtyre komuniteteve në vendin tonë. Në fjalën e tij pas nënshkrimit të marrëveshjes, Meta u shpreh se me këtë marrëveshje i jepet mundësia për herë të parë këtyre komuniteteve që të kenë përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. “Është Koha për Veprim për të integruar këto komunitete, këta qytetarë të vendit tonë si të barabartë, sepse vetëm përmes këtij procesi emancipues dhe integrues, ne do të arrijmë ato standarde evropiane, të cilat janë tepër evidente. Për mosarritjen e këtyre standardeve, përfshirë dhe integrimin e këtyre komuniteteve, jemi kritikuar vazhdimisht dhe nga raportet vjetore të Komisionit Evropian dhe shumë organizma të tjera ndërkombëtare”, tha Meta. Kryetari i LSI-së u shpreh dje se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një tregues i respektimit të komuniteteve që është i shprehur dhe në programin e LSI-së. “Programi ynë për t’i dhënë fund përjashtimit të komuniteteve rome dhe egjiptiane në Shqipëri, filloi pikërisht me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, pasi i jepet mundësia për herë të parë këtyre komuniteteve që të kenë përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë mënyrë jam i bindur se po krijohet mundësia për të qenë të përfaqësuar dhe në qeverisjen e ardhshme, duke mbrojtur vetë në radhë të parë, të drejtat e këtij komuniteti”, tha Meta. Sipas tij, programet tona janë shumë të qarta, si për komunitetin rom, si për komunitetin egjiptian dhe për pakicat e tjera në vendin tonë. “Duhet të keni parasysh se angazhimi im nuk është thjeshtë elektoral për integrimin e këtyre komuniteteve. Strategjia për integrimin e komunitetit rom është hartuar nën kujdesin tim kur kam qenë Kryeministër. Për fat të keq kjo strategji nuk është zbatuar nga qeveritë që erdhën më pas dhe kjo është dhe një nga arsyet, që po të shikoni raportet e Komisionit Europian, Shqipëria kritikohet më së shumti”, tha Meta. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Toleranca e Re, Behar Sadiku, tha se vetëm LSI ka në programin e saj mbështetje sociale dhe integruese të komuniteteve me ngjyrë.