E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta premton në Bathore zgjidhjen përfundimtare të çështjes së legalizimeve

Kreu i LSI garanton daljen nga varfëria përmes Planit për Veprim
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka zgjedhur pikërisht zonën e Bathores, në Kamëz për të shpalosur alternativën që kjo forcë politike ka për zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të çështjes tepër të debatuar, atë të legalizimeve. Në takimin mjaft entuziast të zhvilluar me qindra banorë të Bathores, lideri i LSI-së, duke u ndaluar në problemin e legalizimeve, ka kërkuar votën e këtyre banorëve për të zgjidhur përfundimisht këtë çështje. Është koha për të zgjidhur problemin e legalizimeve. Unë kam qenë i pari në detyrën e kryeministrit, që kam hedhur si të domosdoshme alternativën e legalizimeve, që në vitin 2001 dhe jam i bindur se do kem mundësinë me votën tuaj për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjen e legalizimeve, si një çështje shumë të rëndësishme sociale, por edhe ekonomike jo vetëm për ju, por për të gjithë vendin tonë, theksoi ai. Ndër të tjera, në fjalën e tij, kreu i LSI-së garantoi nxjerrjen nga varfëria përmes Planit për Veprim. Lideri i LSI theksoi se kjo forcë politike si asnjë alternativë tjetër i bashkon të gjithë shqiptarët, sepse LSI ka programin më të qartë dhe më konkret për atë që kërkojnë më shumë shqiptarët sot, që është punësimi i qëndrueshëm, garancia për të ndërtuar një jetë me dinjitet për familjet shqiptare dhe për fëmijët tuaj. Këtë garanci e jep Plani i Veprimit të LSI dhe Ilir Meta, i cili ka bërë së bashku me një ekip të mrekullueshëm një program tërësisht të realizueshëm, që për 4 vjet do të ndryshojë tërësisht jetën tuaj, nënvizoi kreu i LSI. Në këtë takim, Meta mori mbështetjen e banorëve të Bathores, për alternativën e LSI, e cila do të nxjerrë jo vetëm këtë zonë nga varfëria e thellë, por do të nxjerrë vendin nga kriza dhe përmes Planit për Veprim, do të garantojë zhvillim dhe integrim për shqiptarët. Vetëm pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 28 Qershorit, një moment shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit tonë dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë, që është pikërisht ndarja me keqqeverisjen që rrit varfërinë dhe pasigurinë për jetën tuaj dhe të fëmijëve tuaj, që është vota për LSI si alternativa që mendon për shqiptarët që zgjidh problemet e tyre më jetike, me një program tepër konkret dhe të qartë. Duke u ndalur tek listat e kandidatëve për deputet, ai theksoi se LSI nuk vjen pranë qytetarëve me lista të mbyllura siç vijnë partitë e vjetra, të cilat sipas tij duan ti kthejnë jo në përfaqësues të popullit, por në ushtarë të kryetarëve. Por, LSI vjen me kandidatë për deputetë të cilët kanë emra, të cilët kanë një biografi, të cilët kanë se çtë thonë përpara jush dhe çfarë të marrin përsipër. Ilir Meta dhe LSI nuk premtojnë ndërtimin e centraleve bërthamore, që nuk ju duhen Shqipërisë, nuk premtojnë ndërtimin e termocentraleve që helmojnë Shqipërinë, turizmin dhe shëndetin e qytetarëve tanë, por Ilir Meta dhe LSI kanë programin më të qartë, më konkret dhe më të thjeshtë, që i fut shqiptarët në punë gjatë 4 viteve që vijnë, vijoi ai. Në këtë takim Meta shoqërohej nga kandidati për deputet i LSI, Luan Rama. Ndërsa në ndalesën e tij në qytetin e Vlorës, kreu i LSI ka inspektuar një nga zonat më të ndotura të këtij qyteti e ndodhur pranë fushës së aviacionit. Banorët shprehën shqetësimin e tyre për gjendjen, ku jetojnë veçanërisht për faktin se janë harruar nga shteti dhe përfaqësuesi i tyre në parlament. Për këtë arsye, Meta shprehu angazhimin dhe vendosmërinë e LSI që menjëherë pas 28 Qershorit, qeveria e LSI-së do të veprojë urgjent për të zgjidhur këtë problem kaq shqetësues për shëndetin e banorëve të kësaj zone. Dua të shpreh jo vetëm keqardhjen time, por edhe distancimin tim dhe të LSI nga kjo gjendje skandaloze këtu dhe të shprehim angazhimin dhe vendosmërinë tonë që menjëherë pas 28 Qershorit, qeveria e re e LSI do të zgjidhë menjëherë këtë problem katastrofik për shëndetin e gjithë këtij komuniteti dhe do të hapim rrugën e zhvillimit urbanistik të gjithë kësaj zone në mënyrë që kjo të jetë pjesë e një Vlore të zhvilluar, evropiane, të një Vlore që ofron shanse dhe mundësi për një jetë më të mirë dhe jo që rrezikon shëndetin e komunitetit, nënvizoi ai. Në fjalën e tij, Meta e konsideroi këtë një ndër sfidat përsa i takon qytetit të Vlorës. Sipas tij, mbrojtja e mjedisit është një nga çështjet më të mëdha që e dallon LSI në raport me forcat e tjera politike, që në radhë të parë kujdeset që të mbrojë shëndetin e qytetarëve, por njëkohësisht të dalë dhe në mbrojtje të perspektivës turistike të qytetit të Vlorës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›