Vlorë, kandidatët e sigurt në lista neglizhojnë fushatën elektorale
Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, fushata në qarkun Vlorës, këtë herë duket sikur e ka humbur nervin e garës. Tashmë të gjitha forcat politike i janë larguar traditës së mëparshme të bërjes së fushatës dhe janë përqendruar më shumë në fushatën e fshehtë, çka do të thotë se janë përqendruar në bërje fushate përmes të njohurve dhe shokëve e miqve dhe duke ua kërkuar votën direkt atyre. Më aktive në fakt partitë e skalionit të dytë që mesa duket po shfrytëzojnë mefshtësinë apo mendjemadhësinë e partive të mëdha për të bërë të mundur përfaqësimin në parlament.
Ndërkohë që po vërehet edhe fenomeni tjetër që ata kandidatë që e kanë të sigurt vendin në parlament sepse janë në krye të listës kanë filluar dallaveret për të siguruar ndonjë vend në qeverinë që do të krijohet pas zgjedhjeve. Më konkretisht, nëse tre të parët në listën zgjedhore të PD e kanë të sigurt pothuajse karrigen në parlament, janë ata që vijnë në listë pas treshit që po luftojnë të duken si kuaj të vlefshëm beteje për të qenë edhe ata në sallën e parlamentit të ardhshëm. Kreshnik Cipi është ai që po duket më shumë aktiv dhe është më i pranishëm pas dyshes së sigurt Patozi-Kollozi nga kjo listë dhe nuk po kursen as të ardhurat e tij ekonomike për këtë qëllim ndërkohë që dyshja më shumë po mendon se kush do të marrë meritat pas fitores ose larg qoftë kush do të mbajë përgjegjësitë pas humbjes së zgjedhjeve. Ndërkohë që në krahun tjetër janë ujqërit e vjetër të PS që janë regjur me fushata të tilla dhe katër apo pesë të parët e kanë parë edhe herë tjetër sallën e parlamentit dhe duket se janë tepër të sigurt se edhe kësaj radhe do të jenë pjesë e saj. Ndër ta mesa duket ë i qetë por njëherazi edhe më i shqetësuar është ish deputeti dhe ish ministri Arben Malaj që pothuajse nuk e ka mendjen fare të fushata sepse vendi që ka në listë ia bën të detyrueshme shkuarjen në parlament dhe ai bateritë e kësaj fushate më së shumti po i harxhon në sigurimin e një bendi në qeverinë e ardhshme ku ai mendon të jetë përsëri prezent dhe siç e ka pohuar edhe vetë, ajo do të jetë rozë në një miksimitet me LSI. Në këtë kamp të bën përshtypje një përpjekje mbi maksimale e kandidatit për deputet botuesit të njohur Fatmir Toçi që nuk po lë fshat pa shkrehur dhe pa marrë sigurinë e banorëve në këto fshatra se votën do tja japin PS. Duke shfrytëzuar dy faktorë, atë të qenit me origjinë nga Kuçi i Labërisë dhe se përmes librit ai pothuajse i ka prekur të gjitha këto fshatra ai duket më i suksesshmi në këtë fushatë të paktën në zonën rurale të Vlorës. Ndërkohë që nuk duhet të lëmë pa përmendur edhe punën e madhe që po bëjnë edhe partitë e skalionit të dytë dhe me këtë rast duam të përmendim LSI si më pararoja e tyre dhe më pas edhe PDI, PSV91, PBDNJ dhe atë republikane. LSI nga ana e saj e ndjen fitoren e sigurt të emrit të parë në listë, atë të biznesmenit Shpëtim Selami që edhe pa qenë deputet ka bërë shumë bamirësi në këtë zonë, po lufton të fusë në parlament edhe përfaqësuesin 28 vjeçar Besian Pesha dhe mesa duket i është hapur oreksi edhe për mjekun Besnik Elezi që në të vërtetë duket utopi.